Terroristët e ISIS masakrojnë 191 banorë të Mosulit
Mediat irakiane njoftuan se 191 banorë të Mosulit që po përpiqeshin të largoheshin nga ky qytet u masakruan nga terroristët e ISIS.
Një funksionar irakian i sigurisë bëri të ditur se pjesëtarët e ISIS kanë vrarë 170 civilë irakianë që u përpoqën të largoheshin nga zgjedha e ISIS në lagjen Al Ektesadin në Mosul. Ky burim shtoi se 21 civilë irakianë janë masakruar në rajonin Al Sure në lindje të Mosulit për arsye se nuk ju bindën urdhrave të terroristëve. Dje, terroristët e ISIS kanë pushkatuar 36 civilë irakianë në pjesën lindore të Mosulit. Nga ana tjetër, Shtabi informativ i ushtrisë irakiane bëri të ditur se luftimet në pjesën perëndimore të Mosulit janë përqendruar në zonat përreth xhamisë Al Nuri, e cila është mbushur me eksploziv nga terroristët e ISIS. Ky shtab shtoi se mbi 60 % e pjesës perëndimore të Mosulit ndodhet nën kontrollin e plotë të forcave irakiane dhe terroristët janë rrethuar në pjesën e vjetër të qytetit.