Reagimet ndaj ngritjes së flamurit të Kurdistanit në Kirkuk
https://parstoday.ir/sq/news/west_asia-i47892-reagimet_ndaj_ngritjes_së_flamurit_të_kurdistanit_në_kirkuk
Në një kohë që qeveria e Irakut thekson mbi ruajtjen e unitetit kombëtar dhe tërësisë territoriale të vendit, këshilli provincial i Kirkukut miratoi vendimin për ngritjen e flamurit të Kurdistanit në ndërtesat qeveritare në Kirkuk.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Mars 30, 2017 04:29 Europe/Tirane
  • Reagimet ndaj ngritjes së flamurit të Kurdistanit në Kirkuk

Në një kohë që qeveria e Irakut thekson mbi ruajtjen e unitetit kombëtar dhe tërësisë territoriale të vendit, këshilli provincial i Kirkukut miratoi vendimin për ngritjen e flamurit të Kurdistanit në ndërtesat qeveritare në Kirkuk.

Ky veprim ka shkaktuar reagimin e qeverisë irakiane e cila e konsideron atë shkelje të nenit 140 të Kushtetutës dhe kërkoi që mosmarrëveshjet në lidhje me provincën Kirkuk të zgjidhen duke respektuar Kushtetutën e Irakut. Ribvar Talebani, kryetar i Këshillit guvernativ të Kirkukut, vendosi për përdorimin e flamurit të Kurdistanit së bashku me flamurin e Irakut në të gjitha ndërtesat qeveritare të  këtij qyteti, ndërsa përfaqësuesit arabë dhe turkmenë e braktisën takimin në shenjë proteste ndaj këtij vendimi që sipas tyre, bie ndesh me Kushtetutën e Irakut. Përbërja demografike e provincës Kirkuk përveç kurdëve, përfshinë edhe arabët edhe turkmenët. Siç theksoi deputeti i turkmenëve në Parlamentin e Irakut Xhasem Muhamed Xhafar, vendimi i këshillit provincial i Kirkukut është i paligjshëm sepse të tilla çështje duhet të adresohen tek qeveria dhe Parlamenti i Irakut. Ky deputet turkmen deklaroi se ngritja e flamurit të Kurdistanit në provincën Kirkuk krijon kushtet për konflikte ndëretnike dhe ndërfetare në këtë provincë. Nga ana tjetër Sa'ad Al-Hadithi, zëdhënës i kryeministrit të Irakut, ngritjen e flamurit të Kurdistanit të Irakut në ndërtesat qeveritare të Kirkukut e cilësoi si veprim të paligjshëm dhe deklaroi: "Qeveria e Irakut në bazë të Kushtetutës e cila ka përcaktuar qartë kompetencat e qeverisë qendrore do të mbajë qëndrim të prerë ndaj çështjes se vendosjes së flamurit të Kurdistanit të Irakut në provincën Kirkuk". Edhe Ministria e Jashtme e Turqisë e ka cilësuar shqetësues dhe të papranueshëm vendimin e Këshillit Lokal të qytetit Kirkuk për përdorimin e flamurit të Kurdistanit së bashku me flamurin e Irakut në të gjitha ndërtesat qeveritare të  këtij qyteti. Siç njofton gazeta turke Yeni Shafak, Ministria e Jashtme e Turqisë, këtë veprim e cilësoi në kundërshtim me Kushtetutën e Irakut dhe theksoi se çdo veprim i njëanshëm në Kirkuk do të dëmtojë klimën e mirëkuptimit dhe tolerancës në këtë qytet verior të Irakut.