Arabia Saudite, një kamp Guantanamo e një forme tjetër
(last modified Sat, 08 Apr 2017 07:59:14 GMT )
Prill 08, 2017 09:59 Europe/Tirane
  • Arabia Saudite, një kamp Guantanamo e një forme tjetër

Vëllimi i arrestimeve politike në Arabinë Saudite arrin më shumë se 30-fishin e atyre që ndodhin në vendet fqinje. Ato përfshijnë arrestimet e aktivistëve të të drejtave të njeriut, të politikanëve, të intelektualëve dhe të teologëve të moshave të ndryshme, por regjimi shpesh këmbëngul për mungesën e këtyre të burgosurve dhe në rastin më të mirë i konsideron ata të burgosur të sigurisë kombëtare me akuza të shumta, më e spikatura e të cilave është “propaganda në favor të një regjimi të huaj".

Ahmed el-Habasi

Arabia Saudite vuan nga një reputacion i keq në botë, si pasojë e trajtimit që ajo u bën të drejtave të njeriut. Prandaj e shohim të kritikohet në mënyrë të vazhdueshme në të gjitha raportet ndërkombëtare të publikuara nga organizatat që kanë të bëjnë me çështjen përkatëse, por regjimi saudit shpesh i injoron të gjitha këto raporte të tmerrshme dhe përpiqet që t’i fshehë ato, madje nganjëherë edhe t’i kritikojë në mënyrë të thekshme, pa u lejuar këtyre organizatave ndërkombëtare lirinë e hyrjes në Mbretëri për të parë nga afër se çfarë torturash dhe shkeljesh flagrante të të drejtave të njeriut ndodhin atje.

Sipas statistikave të organizatës “Human Rights Watch”, vëllimi i arrestimeve politike arrin më shumë se 30-fishin e atyre që ndodhin në vendet fqinje. Ato përfshijnë arrestimet e aktivistëve të të drejtave të njeriut, të politikanëve, të intelektualëve dhe të teologëve të moshave të ndryshme, por regjimi shpesh këmbëngul për mungesën e këtyre të burgosurve dhe në rastin më të mirë i konsideron ata të burgosur të sigurisë kombëtare me akuza të shumta, më e spikatura e të cilave është “propaganda në favor të një regjimi të huaj” - siç është Irani në mënyrë specifike - dhe “aktiviteti për përhapjen e të ashtuquajturës ‘shtrirje shiite’ brenda Mbretërisë”. Në këtë drejtim, organizata ndërkombëtare e sipërpërmendur konfirmon se këta aktivistë po gjykohen nën ombrellën e ligjeve të mistershme të sigurisë kombëtare dhe të hartuara në mënyrë specifike për një opozitë të tillë.

Nuk ka dyshim se të gjitha gjykimet të cilave u nënshtrohen ata aktivistë janë gjykime të opinioneve dhe të lirisë së shprehjes të garantuara nga të gjitha parimet humanitare ndërkombëtare, por që nuk janë të njohura nga regjimi i korruptuar në Mbretëri. Në fakt, këto arrestime kryhen për arsye dhe qëllime politike duke synuar goditjen e çdo opozite paqësore të regjimit si dhe duke synuar frikësimin dhe kërcënimin, gjë që - me kalimin e kohës - e ka transformuar Mbretërinë në një burg të madh, i cili - në vija të trasha - nuk është i ndryshëm nga burgjet më të mëdha në botë, duke përfshirë edhe kampin e famshëm Guantanamo. Edhe pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë hapur atë kamp burgimi jashtë territorit amerikan si një përpjekje të dështuar për të hedhur hije mbi ekzistencën e tij, regjimi saudit e ka kthyer Mbretërinë në një kamp të madh burgimi, në mënyrë që qytetari i zakonshëm i Arabisë Saudite të ndihet se është i qeverisur nga një regjim despotik dhe se atij i kërkohet të heshtë në mënyrë të vazhdueshme ndaj shkeljes së të drejtave të tij themelore. Ndërkohë, brenda burgjeve të Mbretërisë, i dënuari ka ndjesinë se ky regjim u kërkon të gjithëve të harrojnë atë që po ndodh brenda këtyre burgjeve.

Gjithashtu, mund të thuhet se tortura - e cila praktikohet nga regjimi në burgje e kampe dhe e cila ka marrë jetën e shumë të burgosurve me tendenca e akuza të ndryshme - është një formë nga format e dhunës së qëllimshme fizike, që synon frenimin e fuqisë së opozitarit saudit për të vazhduar opozitën dhe kërkesat e tij dhe thyerjen e çdo vullneti që synon të vazhdojë rezistencën. Për këtë arsye, të gjithë flasin për metodat brutale të torturës brenda atyre burgjeve dhe që shkojnë përtej imagjinatës.

Prej disa dekadash në Arabinë Saudite ekziston një nga regjimet më brutale dhe më barbare në botë. Në krahasim me burgjet e Arabisë Saudite, pjesa tjetër e burgjeve të botës duken si qendra argëtimi. Disa raporte dhe imazhe të rrjedhura nga ambientet e brendshme të këtyre kampeve të tmerrshme tregojnë qartë akumulimin e një numri të madh të burgosurish brenda disa birucave të vogla të cilat nuk mjaftojnë as për të qëndruar në këmbë, gjë e cila i detyron ata të flenë me radhë apo të flenë në banjë duke krijuar një pamje të shëmtuar, e cila nuk u ka hije as monstrave. Këto raporte konfirmojnë se regjimi, në kuadër të politikës së tij kriminale ndaj popullit saudit, ka si qëllim ndrydhjen e dinjitetit të qytetarit saudit në mënyrë të ngadalshme e të qëllimshme derisa të humbasë fuqinë e rezistencës dhe të gjitha mjetet e hezitimit, për të dalë nga ato burgje me mangësi psikike dhe të mos jetë në gjendje për të vazhduar betejën paqësore kundër atij pushteti gjakatar e të padrejtë. Grumbullimi i 500 të burgosurve në një dhomë që nxë vetëm 100 të burgosur është një përpjekje për ta bërë të burgosurin të mos ndihet sikur përfaqëson një rast humanitar, por thjesht një opozitar që duhet të eliminohet moralisht me të gjitha format dhe mënyrat. Prandaj, pas daljes prej atyre burgjeve të tmerrshme, shumë nga të burgosurit vuajnë nga raste traumash dhe shtangieje të përhershme dhe nga humbja e dëshirës për të vazhduar jetën brenda Mbretërisë.

Ndoshta inkurajimi më i madh për regjimin për të gjitha këto shkelje brutale vjen nga vendet perëndimore të udhëhequra nga Amerika, Britania dhe Franca. Paturpësia arriti deri në atë masë sa faqja elektronike e Ministrisë së Jashtme britanike përcjell lajmin se kushtet e burgjeve në Arabinë Saudite konsiderohen të mira. Porse kjo, edhe pse shkakton habi tek disa njerëz, nuk është për t’u habitur nga regjimet që e praktikojnë torturën nën emërtime të ndryshme, duke përfshirë torturën brenda rrotave që rrotullohen dhe transferimin e të burgosurve politikë për t’u torturuar në vende arabe si Egjipti e Jordania. Por është e qartë se heshtja e këtyre vendeve, e cila arsyetohet me mbrojtjen e interesave ekonomike në Gjirin Persik, e ka inkurajuar regjimin saudit të shfrenohet në politikat e torturës dhe në shkeljen e të drejtave të njeriut deri në atë masë saqë numri i të burgosurve politikë sot është mbi dyzet mijë, pavarësisht pretendimit të regjimit për pasaktësinë e këtyre shifrave, të cilët qarkullojnë në faqet dhe gazetat ndërkombëtare të njohura për seriozitetin e tyre në këtë fushë. Por është e sigurt se është e pamundur dhe e vështirë për t’i vlerësuar shifrat e të burgosurve, sepse të gjitha burgjet saudite janë sekrete dhe drejtohen nga shërbimi i inteligjencës, i cili ia paraqet raportet e tmerrshme rregullisht udhëheqjes saudite në krye të së cilës është, natyrisht, mbreti Selman.

Ndoshta ajo që tërheq vëmendjen nëpër gjyqe është se dënimet me të cilat përballen të pandehurit janë dënime shumë të ashpra, të cilat ngrenë shumë pikëpyetje në lidhje me pavarësinë e gjyqësorit saudit dhe në lidhje me masën e autoritetit fetar saudit, i cili ndërhyn në mënyrë flagrante në dispozitat e gjyqësorit. Gjithashtu, mund të thuhet se regjimi i ka eliminuar të gjithë zërat e shoqërisë civile që mund të kundërshtojnë dispozita të tilla të padrejta, natyrisht duke shtuar edhe heshtjen e mjeteve të ndryshme mediatike saudite, të cilat janë në dijeni të plotë se shumë prej këtyre gjykimeve janë gjykime të padrejta dhe të pajustifikueshme dhe se akuzat kundër të dënuarve - si cenimi i shenjtërisë së mbretit, dëmtimi i rendit publik, nxitja për përçarje dhe fyerja e reputacionit të Mbretërisë - janë akuza të stisura dhe papranueshme. Interesant është fakti se me fillimin e luftës së pistë saudite në Jemen, regjimi ka dyfishuar arrestimet, burgosjet dhe torturat ndaj aktivistëve për shkak se ka shumë zëra kundër një lufte të tillë sioniste dhe se ekziston një opozitë e fortë kundër luftës terroriste që zhvillon Mbretëria për të rrëzuar presidentin sirian Bashar al-Asad. Kjo i shtyn vëzhguesit të thonë thënë se mbreti Selman e ka humbur plotësisht arsyen dhe se dështimi politik, ushtarak dhe moral që po vuan regjimi në të gjitha fushat e shtyn atë të ndërmarrë hapa të nxituara drejt humnerës së pritshme. Dështimi do ta rrisë izolimin brenda dhe jashtë, veçanërisht nën dritën e kërcënimeve të administratës së re amerikane.

 

⃰ Ekskluzive e “Panorama al-Sharq al-Awsat”, e shtunë 25 shkurt 2017. 

Tags