Forcat siriane avancojnë drejt Deir al-Zurit
Forcat e ushtrisë siriane, të mbështetura nga forcat aleate dhe nga grupet e mbrojtjes popullore, kanë arritur në rrethinat e qytetit Deir al-Zur, ndërsa po përpiqen të thyejnë rrethimin e një enklave të mbajtur nga qeveria dhe të dëbojnë terroristët e ISIS nga qyteti i trazuar lindor.
Televizioni shtetëror i Sirisë njoftoi të hënën se ushtria dhe forcat aleate janë afruar brenda tre kilometrave pranë qytetit Deir al-Zur, që ndodhet në brigjet e lumit Eufrat 450 kilometra në verilindje të kryeqytetit Damask. Zhvillimi erdhi pasi i ashtuquajturi Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut njoftoi se trupat siriane, të mbështetura nga avionët ushtarakë rusë, kishin përparuar gjatë natës në disa fronte drejt Deir al-Zurit dhe arritën në bazën e Brigadës 137 në pjesën perëndimore të qytetit. Grupi i monitorimit me bazë në Britani vuri në dukje se trupat siriane po luftonin për të thyer rrethimin e bazës nga terroristët e ISIS. "Ka pasur thyerje të shumta të linjës rrethuese të ISIS në pjesën perëndimore të krahinës Deir al-Zur, duke lejuar ushtrinë siriane të lëvizë shpejt," tha një burim ushtarak i paidentifikuar duke shtuar se "rrethimi i trupave qeveritare në bazën e Brigadës 137 do të thyhet brenda disa orësh. " Mediat siriane njoftojnë se ushtria ka rifituar kontrollin e plotë mbi qytetin Kabajeb në jugperëndim të Deir al-Zurit. Ndërkohë, guvernatori i provincës Deir al-Zur, Mohamed Ibrahim Samra, i tha agjencisë zyrtare siriane të lajmeve, SANA, se banorët e rrethuar po festonin ndërsa forcat ushtarake siriane dhe aleatët e tyre përparojnë drejt Deir al-Zurit.