Turqia diskuton me funksionarët e rajonit të Kurdistanit mbi referendumin
Ministri i jashtëm i Turqisë në një takim me funksionarët e rajonit të Kurdistanit të Irakut, ka bërë të qartë qëndrimin e Ankarasë kundrejt referendumit për ndarjen e këtij rajoni.
Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu, pas takimit me Masud Barzanin, kreun e rajonit të Kurdistanit të Irakut, në një konferencë shtypi ka thënë se tregtia midis Turqisë dhe rajonit të Kurdistanit nuk është e lidhur me referendumin. Pas takimit që pati me Mevlut Çavushoglu, ministër i jashtëm i Turqisë, kryetari i rajonit të Kurdistanit, kundërshtoi propozimin dhe kërkesën e Çavushoglu për anulimin e referendumit separatist. Nga ana e tij ministri Çavushoglu përmendi marrëdhëniet e mira të Turqisë me rajonin e Kurdistanit të Irakut dhe tha se Ankara njeh zyrtarisht të drejtat e kurdëve dhe kupton krizat dhe problemet e tyre. Nga ana e tij Masud Barzani ka falënderuar qeverinë turke për ndihmat që ajo ka dhënë për rajonin e Kurdistanit të Irakut dhe për forcat Peshmerga në luftën kundër grupit terrorist ISIS. Ndërkaq, kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, deklaroi se administrata rajonale kurde në veri të Irakut duhet të tërhiqet nga vendimi për referendum. “Vendimi për referendum i udhëheqjes rajonale kurde të Irakut duhet të anulohet, duhet bërë kthesë nga ky gabim”, tha ai. Kurse nga ana e tij, Masud Barzani, kryetar i rajonit të Kurdistanit të Irakut, ka kundërshtuar kërkesën e Turqisë për anulimin e referendumit për ndarjen e këtij rajoni nga Iraku. Masud Barzani, kreu i rajonit kurd të Irakut më 7 qershor 2017, njoftoi se referendumi mbi ndarjen e Kurdistanit nga Iraku do të mbahet më 25 shtator 2017. Ne nuk e pranojmë në asnjë mënyrë tonin e ashpër kërcënues të kundërshtarëve të referendumit, por do të vazhdojnë bisedimet me Bagdadin, tha në fjalën e tij Masud Barzani. Kryetari i rajonit të Kurdistanit të Irakut është i vendosur për organizimin e referendumit për ndarjen e këtij rajoni, në kohën kur qeveria qendrore e Bagdadit dhe shumë grupe politike irakiane janë kundër këtij referendumi. Kryeministri irakian deklaroi se Iraku është një shtet i vetëm dhe se organizimi i referendumit për ndarjen e rajonit të Kurdistanit nga Iraku nuk do t’u sjellë asnjë dobi qytetarëve kurdë. Hejdar Ebadi, kryeministri i Irakut, tha se referendumi për ndarjen e rajonit të Kurdistanit të Irakut pa arritur në një rezultat të drejtë, është vetëm mashtrim i popullit dhe zbatimi i këtij projekti në mënyrë të njëanshme në Kurdistan, do ta çojë vendin drejt një të ardhme të paqartë. Hejdar Ebadi gjithashtu në lidhje me naftën e prodhuar në provincën Kirkuk në veri të Irakut, deklaroi: "Pjesa më e madhe e kësaj nafte po eksportohet në mënyrë jo zyrtare dhe kjo provincë nuk po përfiton asgjë nga të ardhurat e eksportit të kësaj nafte". Vlen të theksohet se forcat Peshmerga të kurdëve që nga viti 2003 pas tërheqjes së forcave irakiane, kanë marrë kontrollin në qytetin Kirkuk dhe autoritetet e rajonit të Kurdistanit të Irakut po eksportojnë në mënyrë të pavarur naftën e kësaj province që konsiderohet provinca e dytë me rezerva më të mëdha të naftës në Irak. Ndërsa ministri i jashtëm i Irakut, Ibrahim Xhaafari, vendimin e rajonit të Kurdistanit për organizimin e referendumit e ka cilësuar vendim të gabuar.