Sulme terroriste në Irak, mes viktimave edhe 3 shtetas iranianë
Burimet e sigurisë dhe ato mjekësore të Irakut thonë se të paktën 50 vetë, duke përfshirë tre pelegrinë iraniane, kanë humbur jetën në dy sulmet me autobomba që goditën provincën jugore të vendit Dhiqar.
Xhasim al-Khalidi, një zyrtar i lartë shëndetësor i Irakut, tha të enjten pasdite se më shumë se 87 njerëz kishin pësuar lëndime në sulme, një prej të cilëve ndodhi pranë një restoranti pranë qytetit Nasiria, që ndodhet rreth 370 kilometra në juglindje të kryeqytetit Bagdad. Ai shtoi se numri i të vdekurve mund të rritej për shkak të gjendjes kritike të disa të plagosurve. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme irakiane, Saad Man, tha gjithashtu se menjëherë pas këtij sulmi, një autobombë shpërtheu në të njëjtën zonë ku kishte në shënjestër një pikë kontrolli të sigurisë. Disa orë pas sulmeve, grupi terrorist ISIS mori përgjegjësinë për të dy sulmet në qytetin jugor të Irakut. Në një deklaratë të publikuar në agjencinë e lajmeve Amaq të grupit terrorist ISIS, theksohet se të dy sulmet u kryen nga terroristët ISIS-it.