A do të kthehet Kurdistani në bisedimet me qeverinë e Bagdadit?
(last modified Thu, 28 Sep 2017 15:08:45 GMT )
Shtator 28, 2017 17:08 Europe/Tirane
  • A do të kthehet Kurdistani në bisedimet me qeverinë e Bagdadit?

Referendumi për ndarjen e Kurdistanit irakian u mbajt pavarësisht nga presionet e brendshme dhe ndërkombëtare.

Kryerja e një referendumi të tillë është pasuar me reagime të ndryshme në nivel vendor , rajonal dhe global. Në përgjigjen e parë, kryeministri irakian Haidar al-Abbadi theksoi: "Bagdadi nuk njeh rezultatet e këtij referendumi". Ministria e Jashtme e Irakut ka kërkuar gjithashtu nga vendet e huaja që kanë konsullata në Erbil të mbyllin këto konsullata dhe të dëbojnë të gjithë diplomatët dhe ambasadorët kurdë jashtë Irakut që kanë marrë pjesë në referendum. Rajoni i Kurdistanit të Irakut pas ultimatumit të dhënë nga qeveria e Bagdadit për dorëzimin e kufijve dhe të aeroporteve të rajonit të Kurdistanit të Irakut, është duke menduar të futet në bisedime me qeverinë e Bagdadit përpara përfundimit të afatit të ultimatumit që është dita e premte. Në takimin e zyrës lokale të rajonit të Kurdistanit të Irakut, është diskutuar mbi ultimatumin e dhënë nga qeveria dhe mbi vendimet e fundit të parlamentit të Irakut dhe është folur mbi futjen në bisedime me qeverinë e Bagdadit përpara përfundimit të afatit të ultimatumit. Hejdar Ebadi kryeministër i Irakut i ka dhënë 72 orë afat rajonit të Kurdistanit që të dorëzojë aeroportet dhe kufijtë e tij. Kryeministri irakian organizimin e  referendumit separatist e ka cilësuar në kundërshtim me kushtetutën e Irakut dhe normat ndërkombëtare dhe ka thënë se shtetasit kurd janë detyruar me forcë që të marrin pjesë në referendum. Ndërkohë, zëdhënësi i qeverisë së Irakut theksoi se Bagdadi nuk ka në plan të kryejë kurrfarë negociatash me autoritetet e rajonit të Kurdistanit të këtij vendi në lidhje me referendumin. Sa'ad Al-Hadithi, zëdhënësi i qeverisë së Irakut, në një intervistë me kanalin televiziv Al Hadeth, tha: "Qeveria e Irakut kurrë nuk do të tërhiqet nga qëndrimet e veta dhe rajoni i Kurdistanit të Irakut duhet të respektojë urdhrat e qeverisë qendrore. Natyrisht ekziston mundësia për tërheqje nga referendumi dhe për anulimin e tij dhe në këtë mënyrë mund të krijohet atmosfera e përshtatshme për dialog. Rajoni i Kurdistanit të Irakut është pjesë e sovranitetit kombëtar dhe e tërësisë territoriale të këtij vendi. Referendumi në këtë rajon është organizuar pa koordinim dhe jashtë ligjeve të Kushtetutës së Irakut, prandaj qeveria tani në bazë të Kushtetutës dhe në bazë të vendimit të Gjykatës së Lartë të Kushtetuese dhe gjithashtu në bazë të miratimit të Parlamentit, obligohet që të marrë masa ligjore ndaj krahinës së Kurdistanit të Irakut". Ai shtoi: "Qeveria thekson dhe insiston në mbrojtjen e jetës së të gjithë qytetarëve të rajonit të Kurdistanit ashtu si qytetarëve të tjerë irakianë dhe nuk dëshiron të shpërthejë ndonjë konflikt i brendshëm mes komuniteteve etnike të shoqërisë së Irakut, prandaj do të zgjedhë shumë opsione të tjera në sfera ligjore, politike, ekonomike dhe tregtare të cilat do t'i zbatojë gradualisht".

 

Tags