Kërkesa e ministrisë së jashtme të Irakut drejtuar Iranit dhe Turqisë
Ministria e jashtme e Irakut ditën e premte me anë të një deklarate deklaroi se qeveria e Bagdadit zyrtarisht u ka kërkuar ambasadave të Iranit dhe Turqisë që të dy këto vende të mbyllin kufijtë e tyre me rajonin e Kurdistanit.
Qeveria e Irakut që nga koha e organizimit të referendumit separatist në rajonin e Kurdistanit, ka nisur mbylljen e kufijve të saj me këtë rajon. Masud Barzani kryetar i rajonit të Kurdistanit të Irakut, me ambiciet e tij personale organizoi referendumin e 25 shtatorit 2017 për ndarjen e rajonit të Kurdistanit nga Iraku. Qeveria irakiane u ka kërkuar Iranit dhe Turqisë që këtej e tutje mbi çështjet kufitare të kontaktojë vetëm me Bagdadin zyrtar. Kjo kërkesë parashtrohet në kohën kur më parë qeveria e Irakut ka mbyllur pikat kufitare me rajonin e Kurdistanit dhe prej Iranit dhe Turqisë kërkoi që të mbyllin linjat ajrore që funksionojnë me këtë rajon. Shkëmbimet tregtare nga pikat kufitare të Kurdistanit me Iranin dhe me Turqinë, kanë pësuar ulje të madhe. Menjëherë pas organizimit të referendumit separatist, qeveria irakiane dhe vendet e rajonit ndërmorën masa ndëshkuese ndaj rajonit të Kurdistanit të Irakut. Në pikat kufitare të Iranit me Kurdistanin dhe të Turqisë me këtë rajon gjithashtu janë vendosur masa të rrepta kontrolli dhe sigurie. Këto masa të qeverisë irakiane dhe të vendeve fqinje janë reagimi i parë ndaj organizimit të jashtëligjshëm të referendumit nga ana e rajonit të Kurdistanit të Irakut, rajon që është tepër i ndjeshëm nga prishja e lidhjeve të tij me fqinjët. Rajoni i Kurdistanit të Irakut nuk ka akses në ujërat detare dhe është një zonë e rrethuar nga Iraku, Irani, Siria dhe Turqia. Si rezultat ndarja e rajonit të Kurdistanit nuk ka kuptim pasi ajo nënkupton izolimin e rajonit në fjalë. Rrethimi gjeografik është një prej faktorëve më të rëndësishëm që ndikon në gjendjen ekonomike të rajonit të Kurdistanit. Të ardhurat kryesore të këtij rajoni vijnë nga shitja e naftës, pasi ky rajon në ditë eksportonte 350 mijë fuçi naftë. Mirëpo me mbylljen e kufijve edhe shitja e naftës së rajonit të Kurdistanit është bllokuar dhe kjo ka krijuar probleme serioze për ekonominë e këtij rajoni. Si rezultat, vendimi i Masud Barzanit për organizimin e referendumit separatist, vetëm sa ka shtuar problemet ekonomike të rajonit të Kurdistanit. Ndërkohë qeveria irakiane ka deklaruar se masat ndëshkuese të saj dhe vendosja e embargos nuk synon të ushtrojnë presione mbi banorët kurdë të rajonit të Kurdistanit. Mbyllja e kufijve dhe kërkesa drejtuar vendeve të tjera për të mbyllur kufijtë e tyre me rajonin e Kurdistanit, ka për qëllim të dërgojë mesazhe për autoritetet e rajonit të Kurdistanit se veprimet e njëanshme të tyre bëhen shkak për izolimin e Kurdistanit në nivel rajonal. Masat që qeveria irakiane ka marrë kundër rajonit të Kurdistanit, janë masa që u kundërvihen funksionarëve të këtij rajoni.