20 terroristë të ISIS dorëzohen në Raka
Njëzet anëtarë të grupit terrorist ISIS u dorëzuan në qytetin verior të Sirisë, Raka.
Rrjeti informativ Al-Alem njoftoi të hënën se elementët e grupit terrorist ISIS, shumica shtetas të huaj, u dorëzuan së bashku me familjet e tyre tek forcat kurde të Sirisë në lagjet perëndimore të qytetit Raka. Presidenti sirian Bashar Asad në vitin 2015 lëshoi një dekret për amnisti, sipas të cilit, nëse personat e armatosur dorëzohen, ata do të jenë subjekt i kësaj amnistie. Autoritetet siriane aktualisht po negociojnë me grupe të armatosura nën Programin Kombëtar të Pajtimit, dhe deri më tani, shumë persona të armatosur janë bashkuar në procesin e pajtimit në pjesë të ndryshme të Sirisë. Ndërkohë, tre grupe të armatosura, "Tahrir al-Sham" dhe "Ahrar al-Sham" dhe "Filk al-Sham" kanë zhvilluar luftime të ashpra mes tyre në provincën e Idlibit, në veriperëndim të Sirisë. Mësohet se në këto luftime janë vrarë një numër i madh i pjesëtarëve të këtyre grupeve terroriste. Gjithashtu, një gjeneral i lartë i ushtrisë siriane tha se gjatë tre muajve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë dërguar të paktën 1,421 dërgesa me armë dhe pajisje për ISIS dhe Frontin Al Nusra. Gjenerali Ali al Ali, kreu i departamentit të operacioneve të ushtrisë siriane, gjatë demonstrimit të armëve të konfiskuara nga terroristët e ISIS, njoftoi se Shtetet e Bashkuara kanë siguruar dhe vazhdojnë të sigurojnë armë për opozitën e armatosur siriane, por edhe për terroristët e ISIS dhe Frontin Al Nusra.