Çfarë po "gatuan" Sabhan me amerikanët në Rakkan siriane?
(last modified Sat, 28 Oct 2017 08:37:26 GMT )
Tetor 28, 2017 10:37 Europe/Tirane
  • Çfarë po

Cilat janë motivet pas vizitës së tij të papritur atje? A ka vendosur Arabia Saudite të adoptojë kartën kurde në përgjigje të Iranit dhe Turqisë?

Vizita e papritur në qytetin sirian Rakka e z. Tamer Sabhan, Ministrit saudit të Shtetit për çështjet e rajonit të Gjirit Persik, i shoqëruar nga gjenerali Brett McGurk, i dërguari i Amerikës për luftën kundër terrorizmit, ka ngjallur shumë pikëpyetje në lidhje me kohën e saj dhe çfarë mund të qëndrojë pas saj prej qëndrimeve të qeverisë saudite në lidhje me periudhën e ardhshme në Siri pas disfatës së të vetëshpallurit "Shteti Islamik" dhe humbjes së kryeqytetit të tij dhe shumicës së territoreve të tij, si dhe shfaqjes fuqimisht të çështjes së separatizmit kurd sërish, në kurriz të shteteve ku ekzistojnë kurdët.

Z. Sabhan, i cili "është tërhequr" nga Bagdadi si ambasador non grata për shkak të kritikave të tij ndaj Iranit dhe udhëheqësve shiitë irakianë, përshkruhet si një njeri i misioneve problematike të vështira dhe konsiderohet si një nga personalitetet e afërt me princin Mohammed bin Selman, Princi i Kurorës dhe sundimtari efektiv i vendit të tij. Prandaj zgjedhja e tij për këtë detyrë nuk ka ardhur nga hiçi.

Ekziston një mori arsyesh dhe motivesh për këtë vizitë, si dhe një sërë mesazhesh që Arabia Saudite dëshiron t'ia përçojë Iranit, Turqisë dhe vetë qeverisë siriane. Ato mund të përmblidhen në pikat vijuese:

Së pari: Shqyrtimi i mundësisë së ekstradimit të më shumë se 50 shtetasve sauditë të cilët luftonin në radhët e të vetëquajturit "Shteti Islamik" dhe iu vetëdorëzuan Forcave të Sirisë Demokratike, e cila kontrollon qytetin Rakka pas "çlirimit" të tij. Vende të tilla si Britania, Franca dhe vende tjera perëndimore dërguan delegatë për ekstradimin e shtetasve të tyre.

Së dyti: Përçimi i mesazheve Turqisë dhe Iranit, të cilat konfirmojnë se Arabia Saudite mbështet kurdët dhe Forcat e Sirisë Demokratike që morën kontrollin në Rakka dhe se gëzon një mbështetje amerikane ushtarake tokësore dhe ajrore.

Së treti: Ndërtimi i urave lidhëse me fiset sunite në zonën e Rakkas e përreth saj. Kjo shpjegon edhe takimin e z. Sabhan me anëtarët e Këshillit Lokal të Qytetit dhe udhëheqësit e fiseve, si dhe z. Ahmed el-Xherba, ish-kreu i Koalicionit Kombëtar Sirian, një ish-opozitar, i cili rekrutoi disa grupe luftëtarësh të këtyre fiseve sunite për të luftuar në radhët e Forcave të Sirisë Demokratike (SDF) me rekomandim amerikan, duke marrë përsipër drejtimin e tyre.

Së katërti: Mbështetja e strategjisë së shpallur nga presidenti Donald Trump kundër Iranit, e refuzimit nga ana e tij të ratifikimit të marrëveshjes bërthamore me të dhe e akuzimit të Iranit për mbështetje të terrorizmit dhe destabilizim të rajonit. Ky është hapi i parë "praktik" në këtë kontekst.

Së pesti: Përpjekja për të gjetur një rol për Arabinë Saudite në "Sirinë e Re" nën perden e pjesëmarrjes në proceset e rindërtimit, si dhe shfrytëzimit të kartës kurde, pasi aktualisht ajo konsiderohet karta më e fortë në përballje me Turqinë dhe Iranin pas shpërbërjes së opozitës siriane, me të dy krahët e saj: krahun e armatosur dhe atë politik.

Siç duket, autoritetet saudite kanë vendosur të qëndrojnë në hendekun e kurdëve në përballje me Turqinë dhe Iranin, të cilët janë duke mbështetur Katarin në krizën e Gjirit (Persik), si dhe të adoptojnë strategjinë amerikane që është duke marrë formë në rajon, veçanërisht kundër Iranit, në një përpjekje për të frenuar ndikimin dhe arritjet e tij në rritje në Siri dhe në Irak, të cilat u mishëruan në rikthimin nga ana e ushtrisë siriane të më shumë se 90 % të territorit sirian dhe në kontrollin e plotë të Deir al-Zourit dhe al-Mejadinit gjatë betejave të fundit në lindje, si dhe progresin drejt kufijve irakiano-sirianë.

Nëse do të marrim në konsideratë se beteja e ardhshme në Siri mund të jetë në mes të ushtrisë siriane dhe Forcave të Sirisë Demokratike për të marrë nën kontroll qytetin Rakka, ne mund ta kuptojmë më së miri këtë vizitë të papritur të qytetit nga ana e ministrit saudit, vizitë e cila theu një traditë saudite që konsiston në diplomacinë e qetë, në largimin sa më shumë të jetë e mundur nga zonat e nxehta në terren dhe në të punuarit pas perdes.

Nuk e dimë çfarë po gatuan z. Sabhan dhe qeveria e tij me amerikanët në Rakka, por ajo në të gjitha rastet do të jetë gatim i rrezikshëm dhe një hap që mund të kërkojë një përgjigje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të dy palëve në shënjestër - pra, Turqisë dhe Iranit - krahas palës siriane në mënyrë të pashmangshme. A do të jetë në gjendje udhëheqja saudite të përballet me atë reagim, i çfarëdolloj natyre qoftë ai, nën hijen e zhytjes së saj në luftën ndaj Jemenit dhe të disfatës së aleatëve të saj në Siri?

 

*Redaksional i publikuar më datë 19 tetor 2017 në gazetën elektronike "Ra'jul Jeum".

http://www.raialyoum.com/?p=763413

 

Tags