Numri i viktimave në Egjipt rritet në 305
Numri i viktimave nga sulmet e islamikëve në qytetin Bir al Abd na Sinai është rritur në 305, njoftoi sot Asambleja e Përgjithshme e Egjiptit. Në mesin e viktimave janë 27 fëmijë, ndërsa 128 persona tjerë janë plagosur, deklaroi kryeprokurori i shtetit të Egjiptit, Nabil Sadek.
Teksa bilanci i viktimave nga sulmi në një xhami në Sinain Verior ka shkuar në 305 persona të vrarë dhe 128 të plagosur, presidenti i Egjiptit Abdul Fattah al-Sisi ka premtuar të përgjigjet ashpër ndaj ngjarjes. Xhamia al-Rauda në qytetin e Bir al-Abed, ku besimtarët myslimanë falnin namazin e së premtes, u bombardua dhe ata persona të cilët u përpoqën të arratiseshin, u vranë nga dhjetëra agresorë të armatosur që rrethuan objektin e kultit me automjete. Ushtria egjiptiane ka deklaruar se ka kryer sulme ajrore ndaj vendndodhjeve terroriste në përgjigje të këtij sulmi, që deri më tani nuk është marrë nën autorësi nga asnjë grup. Forcat egjiptiane të sigurisë prej vitesh kanë luftuar me rebelët islamistë në gadishullin e Sinait. Militantë të lidhur me të ashtuquajturin Shteti Islamik kanë qenë autorë të një sërë sulmesh vdekjeprurëse në rajon. Në shënjestër të militantëve kanë qenë zakonisht forcat e sigurisë ose kishat e krishtera, ndaj një sulm i tillë ndaj një xhamie të myslimanëve sufi ka tronditur Egjiptin. Ky është edhe agresioni më i përgjakur në këto vite të fundit për vendin.