Rëndohet gjendja shëndetësore e liderit fetar të Bahrejnit
Një grup i të drejtave të njeriut në Bahrejn bëri të ditur se gjendja shëndetësore e klerikut më të lartë bahrejnas Sheik Isa Kasim, i cili ka qenë nën një arrest shtëpiak që nga viti i kaluar, është përkeqësuar në mënyrë dramatike në ditët e fundit, duke paralajmëruar se ai ka nevojë urgjente për trajtim mjekësor.
Sipas një deklarate nga Instituti i Bahrejnit për të Drejtat dhe Demokracinë të hënën, mjekët që kishin vizituar udhëheqësin shpirtëror në shtëpinë e tij në fshatin veriperëndimor Diraz, e kishin diagnostikuar atë të vuante nga një " zmadhim i hernies që kërkon një operacion emergjence." "Një operacion i tillë mbart një rrezik të lartë të vdekshmërisë në moshën e Sheikh Isa Kasimit, i cili është 79 vjeçar. Ai gjithashtu vuan nga presioni i lartë i gjakut, diabeti dhe një formë e sëmundjeve të zemrës", tha më tej Instituti i Bahrejnit për të Drejtat dhe Demokracinë. Aktivistët e Bahrejnit gjithashtu raportuan se Sheikh Kasim po vuante nga dhimbje të vazhdueshme dhe hemorragji të brendshme. Ndërkohë, ish-zëvendëskryetari i Shoqatës Kombëtare Islame al-Vefak, Ali al-Asuad, ka thënë në një deklaratë se regjimi i Manamas ishte pala kryesore përgjegjëse për shëndetin e Sheikh Kasimit. "Kushdo që e ka vendosur Ajetollah Sheikh Isa Kasimin nën arrest shtëpiak është ai që do ta mbajë këtë përgjegjësi tani e tutje," shtoi Asuad, duke u bërë thirrje të gjithë bahrejnasve të tubohen në manifestime në mbështetje të udhëheqësit shpirtëror.