Jep dorëheqjen kryetari i Parlamentit të Kurdistanit të Irakut
Kryetari i Parlamentit të Kurdistanit të Irakut ka dhënë dorëheqjen pas protestave masive kundër qeverisë rajonale të Kurdistanit irakian.
Burimet brenda lëvizjes kryesore opozitare kurde Gorran, thanë të mërkurën se anëtari i kësaj lëvizjeje, Jusif Mohamed kishte dhënë dorëheqjen si kryetar i parlamentit. Partia gjithashtu tërhoqi ministrat e saj ngaqeveria rajonale. Grupi Islamik i Kurdistanit (Komala), një tjetër parti opozitare me një prani më të vogël në parlament, gjithashtu e la qeverinë. Lajmi vjen pasi forcat kurdë të sigurimit qëlluan për vdekje pesë protestues ndërsa demonstratat vazhduan për ditën e dytë të martën, nga një zemërim i madh mbi korrupsionin dhe pagat e papaguara të punonjësve të sektorit publik. Misioni i Asistencës së Kombeve të Bashkuara për Irakun (UNAMI) shprehu shqetësimin e thellë për dhunën dhe përplasjet gjatë demonstratave, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të tregojnë vetëpërmbajtje. "Njerëzit kanë të drejtë të marrin pjesë në demonstrata paqësore dhe autoritetet kanë përgjegjësinë për të mbrojtur qytetarët e tyre, duke përfshirë protestuesit paqësor", tha UNAMI në një deklaratë të mërkurën.