Astana: Nis raundi i ri i bisedimeve për paqe në Siri
Në Astana të Kazakistanit ka nisur raundi i ri i bisedimeve për paqe në Siri me iniciativën e përfaqësuesve të Iranit Rusisë dhe Turqisë.
Ministrja e jashtme kazake ka thënë se përfaqësuesit e qeverisë siriane dhe delegacioni i opozitës siriane, kanë arritur në Astana, ku do të zhvillojnë takime dy-ditore. Pas bisedimeve me ekipin e Kombeve të Bashkuara, opozita siriane ka thënë se është më e rëndësishme “se kurrë më parë” që Rusia të shtyjë Qeverinë e presidentit sirian, Bashar al-Assad, drejt arritjes së një marrëveshjeje politike. Në ndërkohë, agjencia shtetërore e lajmeve në Siri, SANA, ka raportuar se delegacioni rus, ka zhvilluar takime të ndara me delegacionet e Iranit dhe Turqisë. Mbi 330 mijë persona janë vrarë në Siri dhe miliona të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, që nga fillimi i konfliktit në Siri në mars të vitit 2011. Bisedimet në Astana janë zhvilluar në mënyrë paralele me bisedimet e paqes në Gjenevë, që sponsorizohen nga OKB-ja.