Pence: Ambasada amerikane transferohet në Jerusalem në fund të vitit 2019
Nënpresidenti i SHBA, Mike Pence, deklaroi se Uashingtoni po planifikon të zhvendosë ambasadën amerikane në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalem deri në fund të vitit 2019.
Pence e bëri këtë deklaratë të hënën, gjatë një fjalimi në parlamentin izraelit i njohur si Knesset, pas zemërimit mbi vendimin e dënuar globalisht të presidentit amerikan Donald Trump për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin e regjimit izraelit. Fjalimi i Pence u ndërpre shkurtimisht në fillim kur një grup ligjvënësish arabo- izraelitë në Knesset treguan pankarta proteste në arabisht dhe anglisht, të cilat lexonin "Jerusalemi është kryeqyteti i Palestinës", përpara se të nxirren menjëherë nga forcat e sigurisë. Fjalimi i së hënës nga Pence shkaktoi një reagim të menjëhershëm nga palestinezët, me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës për Çlirimin e Palestinës, Saeb Erekat, i cili e përshkroi fjalimin e nënpresidentit amerikan si një "dhuratë për ekstremistët". Erekat tha se fjalimi i Pence "ka dëshmuar se administrata amerikane është pjesë e problemit, e jo e zgjidhjes së tij".