Forcat jemenase hakmerren ndaj agresorëve sauditë
Forcat ushtarake të Jemenit, të mbështetura nga luftëtarët aleate nga Komitetet Popullore, kanë lëshuar një raketë balistike në një bazë ushtarake në rajonin kufitar jugperëndimor Xhizan të Arabisë Saudite, në hakmarrje për fushatën ushtarake të regjimit saudit kundër popullit jemenas.
Një burim ushtarak, duke folur në kushte anonimiteti, i tha rrjetit televiziv të Jemenit, al-Masirah, se raketa Kaher 2-M goditi të dielën pasdite bazën ushtarake saudite në Xhizan, që ndodhet 966 kilometra në jug të kryeqytetit saudit, Riad. Ndërkohë, dhjetëra trupa saudite dhe militantë të sponsorizuar nga sauditët besnikë ndaj ish-presidentit të Jemenit Abd Rabuh Mansur Hadi u vranë ose u plagosën kur trupat jemenase dhe aleatët e tyre sulmuan pozicionet e tyre në zonën Nahukah në rajonin kufitar saudit Xhizan. Gjithashtu të dielën, snajperët jemenas qëlluan për vdekje një ushtar saudit në bazën Rakabah al-Halk në rajonin Naxhran në jug të Arabisë Saudite, 844 kilometra në jug të Riadit. Këto zhvillime erdhën një ditë pasi forcat ushtarake të Jemenit vranë shtatë ushtarë sauditë në rajonet Xhizan dhe Naxhran. Gjashtë trupat saudite u vranë në bazën al-Haskul në Xhizan, ndërsa i shtati u vra në bazën al-Shabakah të Naxhranit.