Bin Salman: Arabia Saudite dhe Izraeli kanë një armik të përbashkët
Në një referencë të dukshme ndaj Iranit, Princi i Kurorës Saudite Muhamed bin Salman tha se regjimet në Arabinë Saudite dhe Izrael kanë "një armik të përbashkët" dhe se ata mund të normalizojnë menjëherë marrëdhëniet e tyre sapo çështja e Palestinës të zgjidhet.
Në një intervistë me revistën TIME botuar të enjten, trashëgimtari i fronit saudit foli për perspektivën e marrëdhënieve Riad-Tel Aviv, duke e përshkruar konfliktin e regjimit sionist me palestinezët si pengesa e vetme për normalizimin e lidhjeve me Izraelin. "Ne kemi një armik të përbashkët dhe duket se ne kemi shumë fusha të mundshme për të pasur bashkëpunim ekonomik", tha princi i kurorës saudite. Këto deklarata vijnë disa ditë pasi bin Salman, në një intervistë me rrjetin Atlantic, u përpoq të vendoste në një pozitë të barabartë pretendimet izraelite dhe palestineze mbi tokën, në një ndryshim dramatik në qëndrimin e gjatë të Riadit mbi Palestinën, duke thënë se izraelitët, si palestinezët kanë "të drejtën të kenë atdheun e tyre ". Kjo intervistë nxiti aq shumë polemika mes mbrojtësve të çështjes palestineze, saqë e detyruan babain e princit, Mbretin Salman, të riafirmojë mbështetjen për palestinezët dhe "të drejtat e tyre legjitime" për një shtet të pavarur në një telefonatë me presidentin amerikan Donald Trump. Sidoqoftë, përpara bin Salman, asnjë zyrtar i lartë saudit nuk e kishte pranuar publikisht se Izraeli ka të drejtën për tokë në Palestinë. Ngrohja e marrëdhënieve Riad-Tel Aviv ka shpejtuar ritmin që nga qershori 2017, kur bin Salman u bë princ i kurorës. Në muajt e fundit, mbretëria po zbut gradualisht qëndrimin e saj publik ndaj Izraelit, në atë që analistët e përshkruajnë si një përpjekje nga Riadi për të përgatitur opinionin publik në shtëpi dhe gjetkë për marrëdhënie të mundshme normale me Izraelin. Raportet e fundit gjithashtu sugjerojnë se Arabia Saudite ka marrë një rol aktiv në përpjekjet e SHBA-së për të përshpejtuar një marrëveshje "paqeje" mes izraelitëve dhe palestinezëve për të hequr qafe konfliktin prej dhjetëvjeçarësh, që Riadi e sheh si pengesë për marrëdhëniet e ngushta me Tel Avivin. Gazeta al-Akhbar e Libanit publikoi një letër nga Ministri i Jashtëm Saudit Adel al-Xhubeir për bin Salman, në të cilin ai paraqiti një udhërrëfyes për normalizimin e lidhjeve me Izraelin me qëllimin përfundimtar të bashkimit kundër Iranit, armikut të tyre të përbashkët.