Shqetësimet për transferimin e pjesëtarëve të ISIS në Azinë Juglindore
Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar, jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Zhvillimet në Azinë Juglindore". Në këtë edicion do të shqyrtojmë shqetësimet e paraqitura nga komiteti i operacioneve kundër terrorizmit pranë KS të OKB në lidhje me transferimin e pjesëtarëve të grupit terrorist ISIS në Azinë Juglindore.
Komiteti për operacionet kundër terrorizmit në Këshillin e Sigurisë së OKB në raportin e tij të fundit ka shprehur shqetësime dhe ka paralajmëruar në lidhje me transferimin e pjesëtarëve të grupit terrorist ISIS nga Iraku dhe Siria në rajonin e Azisë Juglindore. Kairat Umarov, kryetari i këtij komiteti në Krasandar të Rusisë, ka theksuar se terroristët e huaj në Irak dhe Siri po bëjnë përpjekje që të largohen nga këto vende si persona të shpërngulur dhe refugjat, prandaj kjo çështje është kërcënim serioz për Bashkësinë Ndërkombëtare. Ai gjithashtu ka paralajmëruar në lidhje me transferimin e burimeve financiare të grupeve terroriste sidomos të ISIS nga Siria dhe Iraku në rajonet e tjera dhe ka theksuar se ky veprim i terroristëve bëhet me qëllim të përgatitjes përball disfatës ushtarake në këto dy vende dhe për vazhdimin e aktivitetit të grupit terrorist ISIS në rajone të tjera të botës.
Rreth një viti më parë kur u bë e qartë disfata e grupit terrorist ISIS në Irak dhe Siri, ky grup terrorist ka filluar përpjekjet e veta për transferimin e pjesëtarëve të tij në rajone të ndryshme të botës. Për realizimin e këtij plani, grupi terrorist ISIS ka paraparë tre rajone në Libi në Afrikën Veriore, Afganistanin në Azinë Perëndimore dhe vendet Filipine, Malajzi dhe Indonezi në Azinë Juglindore ndërsa me transferimin e forcave të tij në këto rajone të bëjë riorganizimin e forcave të tij dhe të shpall të ashtuquajturin "Khalifatin e Khorasanit" në Afganistan dhe "Khalifatin Lindor" në Azinë Juglindore.
Rouhan Gunaratna, ekspert i çështjeve politike:
"Shteti i Filipineve ka kushte dhe rrethana të përshtatshme për realizimin e qëllimeve të grupit terrorist ISIS dhe pushtimi i qytetit Maravi ishte hapi i parë dhe veprimi më serioz i këtij grupi terrorist për të shpallur "Khalifatin Lindor".
Nga ky aspekt që nga rreth një viti më parë, të gjitha qarqet politike dhe të sigurisë në Azinë Juglindore kanë paralajmëruar në lidhje me këtë çështje dhe kanë marrë masat përkatëse për të parandaluar realizimin e këtyre programeve të grupit terrorist ISIS. Megjithëkëtë, nga pikëpamja e qarqeve politike, përballja me grupin terrorist ISIS ka nevojë për bashkëpunim botëror, për arsye se terrorizmi është një kërcënim ndërkombëtar i cili në mënyrë serioze kërcënon sigurinë globale. Prandaj me zbatimin e programeve ushtarake për tu përballur me terroristët, është e domosdoshëm edhe mbikëqyrja bankare mbi çfarëdo lloj transferta dhe transaksione financiare dhe parandalimi i aktivitetit të terroristëve në sektorë të ndryshëm tregtar si nafta, lëndët narkotike dhe xehet minerale. Raportet e publikuara tregojnë se qarqet perëndimore të cilat pretendojnë se po luftojnë kundër terrorizmit, vete ato janë mbështetës kryesor të këtyre grupeve terroriste dhe këto grupe terroriste po i shfrytëzojnë si një mekanizëm për të çuar përpara qëllimet e tyre politike sidomos në sektorin e sigurisë dhe në sektorin ushtarak. Vizita e fundit e Xhoko Viduda, presidentit të Indonezisë, në Pakistan dhe Afganistan dhe propozimi i tij për ta formuar një këshill të dijetarëve islame të përbërë nga dijetarët islamë të këtyre tre vendeve për tu përballur me terrorizmin, tregon shqetësimet e thella të tij nga zgjerimi dhe përhapja e terrorizmit dhe për pasojat e tij.
Gjeneral Hamidin, ekspert i çështjeve të sigurisë në Indonezi:
"Grupi terrorist ISIS po shfrytëzon shumë mirë teknologjinë e informacionit dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale, shumë lehtë po gjen forcat e tij të preferuara dhe ky është një problem i madh për forcat e sigurisë së Indonezisë".
Nga pikëpamja e qarqeve politike në rajonin e Azisë Juglindore, prodhimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike dhe drogës në Afganistan, vend ky i cili ndodhet tërësisht nën pushtimin e Amerikës dhe të NATO-s, nuk mund të jetë i mundur pa ndërhyrjen e tyre ose shitja e naftës së Irakut dhe Sirisë nga terroristët e ISIS nuk mund të bëhet pa bashkëpunimin e qarqeve perëndimore. Kjo është për arsye se pulsi i tregjeve ndërkombëtare është nën kontrollin e institucioneve dhe të organizatave të cilat nëse dëshirojnë, shumë lehtë mund të pengojnë eksportin e naftës së Lindjes së Mesme nga ana e grupeve terroriste. Prandaj, transferimi i terroristëve të ISIS në Afganistan dhe në Azinë Juglindore, gjithashtu konsiderohet një lëvizje e llogaritur mirë nga mbështetësit e tyre sidomos nga Amerika që duke përhapur ekstremizmit dhe dhunën kundër sigurisë, të shtojë shitjen e armatimeve dhe të zgjerojë praninë e vetë ushtarake në rajone të ndryshme të botës. Gjatë viteve të fundit, Amerika duke krijuar dhe përhapur kriza dhe pasiguri, ka arritur të nënshkruajë kontrata të mëdha të sigurisë me vendet e Azisë Juglindore. Kjo është në kohën kur nga pikëpamja e qarqeve politike në rajon, vendet e Azisë Juglindore kanë potenciale të mjaftueshme për të luftuar kundër terrorizmit.
Teofik Andrej, ekspert i çështjeve politike:
Në vendet si Indonezia e cila ka një demokraci aktive dhe dinamike dhe është vend me shumicë myslimane, ekzistojnë potenciale të vogla për përhapjen e ekstremizmit dhe terrorizmit".
Në bazë të kësaj, raporti i kryetarit të komitetit për operacione kundër terrorizmit pranë KS të OKB në lidhje me transferimin e pjesëtarëve të grupit terrorist në Azinë Juglindore, mund të analizohet nga disa aspekte. Së pari, publikimi i raporteve të tilla në radhë të parë ndihmon mënjanimin e shqetësimeve dhe krijon rrethanat e përshtatshme për zgjerimin e bashkëpunimeve në fushën e sigurisë mes Amerikës dhe vendeve të Azisë Juglindore. Së dyti, qarqet dhe institucionet perëndimore po paralajmërojnë në mënyrë të zmadhuar për rrezikun e ISIS në Azinë Juglindore në kohën kur pas shkatërrimit të këtij grupi terrorist në Irak dhe Siri, praktikisht nuk ekziston mundësia për kryerjen e operacioneve terroriste të këtij grupi në vendet ose rajonet e tjera të botës, ndërkohë që qarqet e ndryshme me koordinim më të madh, duhet të pengojnë dhe të moslejojnë riorganizimin e terroristëve të këtij grupi në rajone të ndryshme. Mirëpo qarqet perëndimore pavarësisht se kanë zotërim të plotë mbi tregjet financiare dhe tregtare, nuk po luajnë rol aq shumë të rëndësishëm dhe me ndikim në këtë drejtim. Së treti, qarqet perëndimore duke treguar Azinë Juglindore si një zonë objektive për terroristët, synojnë të tërheqin vëmendjen e terroristëve drejtë rajonit më të sigurt të botës me qëllim të realizimit të programeve të Amerikës për transferimin e më shumë forcave ushtarake në lindje dhe në juglindje të Azisë.
Larisa Efimova, eksperte e çështjeve politike:
"Qarqet perëndimore pretendojnë se Azia Juglindore për shkak të pozitës gjeografike dhe që përbëhet nga të paktën 6000 ishuj të vegjël dhe të pabanuara, ka kushte shumë të përshtatshme për praninë e grupeve terroriste. Kjo është në kohën kur në këto ishuj nuk ekzistojnë kushtet për jetesën e njeriut dhe shndërrimi i tyre në baza për terroristët, konsiderohet diçka shumë e vështirë".
Sidoqoftë, paralajmërimi i kryetarit të komitetit për operacione kundër terrorizmit pranë KS të OKB në lidhje me transferimin e terroristëve të ISIS në Azinë Juglindore, mund të ndihmojë për shtimin e vigjilencës së qarqeve të sigurisë dhe ushtarake të vendeve të këtij rajoni, mirëpo Bashkësia Ndërkombëtare pret që qarqet dhe institucionet perëndimore si KS i OKB të marrin masat e duhura dhe të pengojnë transferimin e terroristëve dhe zhvendosjen e tyre në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Çështja që është në kontradiktë me realitetin, përbëhet nga qëllimet dhe programet ushtarake dhe të sigurisë së qarqeve perëndimore. Veprimet e Amerikës në përballje me ekstremizmin dhe terrorizmin sidomos me grupin terrorist ISIS në Afganistan, vërteton më së miri këtë fakt.