Princi saudit nxit grusht shteti për të rrëzuar Mbretin Salman
Një princ saudit në mërgim ka bërë thirrje për një grusht shteti nga xhaxhallarët e tij me ndikim për të përmbysur Mbretin Salman dhe për të parandaluar strukturën aktuale qeverisëse të udhëhequr nga djali i tij, Princi i Kurorës Muhamed bin Salman, që të dëmtojë më shumë mbretërinë saudite.
Princi Khaled bin Farhan, të cilit i është dhënë azil në Gjermani, në një intervistë për portalin e lajmeve Middle East Eye, i bëri thirrje Princit Ahmed bin Abdulaziz dhe Princit Mukrin bin Abdulaziz për të përdorur ndikimin që ata kanë tek princat mbretërorë, si dhe në qarqet e ushtrisë për të kryer një puç kundër Mbretit Salman dhe bijve të tij. Një ndryshim i tillë, tha Farhan, është i domosdoshëm për të shpëtuar mbretërinë saudite nga " tutela irracionale, e çoroditur dhe e çmendur " e Mbretit Salman. Bin Farhan shpjegoi më tej se aventura e arrestimit të figurave të fuqishme nga bin Salman ka krijuar shumë pakënaqësi brenda familjes mbretërore kundër princit të kurorës, duke vënë në dukje: "Familja saudite ndjen se është poshtëruar". "Ka aq shumë zemërim brenda familjes mbretërore", saqë një ndryshim i mundshëm në strukturën qeverisëse të vendit do të mbështetet nga "99 përqind e anëtarëve të familjes mbretërore, shërbimet e sigurisë dhe ushtria", tha bin Farhan. "Unë kam marrë një numër të madh të mesazheve elektronike nga policia dhe ushtria në mbështetje të thirrjes sime", shtoi ai. Komente e Princit Khaled vijnë në mes të mungesës misterioze të princit të kurorës mbretërore saudite nga syri i publikut dhe i mediave që nga shpërthimet e rënda që u raportuan jashtë pallatit mbretëror në Riad në fund të muajit të kaluar. Disa burime pohuan se incidentet më 21 prill ishin pjesë e një grusht shteti të udhëhequr nga princat sauditë të cilët janë kundër Mbretit Salman, ndërsa raporte të tjera sugjeruan se të shtënat ndodhën kur rojet e pallatit kishin qëlluar një dron të vogël që iu afrua vendbanimit të Salmanit. Bin Farhan hodhi poshtë raportet se forcat e sigurisë janë përpjekur të gjuajnë një dron pa pilot gjatë incidentit, duke thënë se shkatërrimi i një droni lodër nuk do të kërkonte disa orë shkëmbim zjarri. Duke folur për Muhamed bin Salman, bin Farhan tha: "Në shkollë ai kishte probleme psikologjike dhe nuk do të shkoj më shumë në detaje, por shëndeti mendor mund të ndikojë në tërësi dhe unë e shoh qartë këtë pas ngritjes së tij në pushtet dhe mënyra se si ai vepron në politikë reflekton problemet e tij psikologjike ". Ai shtoi: "Trajtimi si një princ i zakonshëm dhe jo i rëndësishëm, ka kontribuar në gjendjen e tanishme të bin Salman. Dëshiroj t'u them europianëve se situata në Arabinë Saudite i ngjan vullkanit që po shpërthen. Nëse shpërthen, kjo do të ndikojë jo vetëm në situatën brenda Arabisë Saudite ose në rajonin arab, por kjo do të ketë një ndikim edhe te ju. Ne nuk duhet të harrojmë se në Arabinë Saudite ekzistojnë celula të fjetura terroriste dhe se ideologjia vehabiste shërben si bazë për ideologjinë e terroristëve takfiristë që frikëson më shumë evropianët dhe amerikanët". "Pra, nëse Arabia Saudite zbret në një gjendje kaosi, do të ketë kaos global, dhe Arabia Saudite do të jetë një burim i terrorizmit për të gjithë botën, pasi ajo do të mbështesë terrorizmin ndërkombëtar", tha Princi Khaled bin Farhan.