Iraku merr dhjetëra tanke T-90 nga Rusia
Ministria e Mbrojtjes e Irakut, në një deklaratë të publikuar të enjten, njoftoi se kishte marrë në dorëzim 39 tanke ruse T-90, duke shtuar se mjetet e blinduara luftarake ishin shpërndarë mes dy batalioneve të një brigade ushtarake.
Deklarata tha se personeli ushtarak irakian ishte trajnuar tashmë nga ekspertë rusë se si të përdorin këto tanke. Shefi i Shtabit të Ushtrisë irakiane Gjenerali Osman al-Ghanimi tha më 19 shkurt se ushtria e vendit të tij kishte marrë 36 tanke T-90 nga Rusia. T-90 është një tank i gjeneratës së tretë. Ky tank rus është ndër tanket më të shitur në botë dhe i njohur për fuqinë e madhe të zjarrit, mbrojtjen maksimale dhe lëvizshmërinë. Ushtria irakiane ka në plan të përforcojë flotën e saj të tankeve amerikane M1A1 Abrams me tanket ruse T-90. Një numër i madh i tankeve amerikane M1A1 Abrams janë dëmtuar në luftën kundër terroristëve të ISIS.