Turqia ndërton murin kufitar me Sirinë
Turqia ka ndërtuar një mur betoni prej 764 kilometrash përgjatë kufirit me Sirinë, njoftoi të shtunën Agjencia Anadolu, , duke cituar një zyrtar anonim turk.
Sipas këtij burimi, muri, i cili përfshin disa shtresa fizike, elektronike dhe me teknologji të avancuar, është ndërtuar në gjashtë provinca turke - Sanliurfa, Gaziantep, Kilis, Hatay, Mardin dhe Sirnak - me qëllim parandalimin e kalimeve të paligjshme dhe kontrabandës përgjatë kufirit me Sirinë, e cila që nga viti 2011 është përfshirë nga lufta. Një projekt për ndërtimin e një muri prej 826 kilometrash përgjatë kufirit të përbashkët filloi në vitin 2015. Barriera mbulon pothuajse tërë gjatësinë e kufirit turko-sirian, i cili është 911 kilometra i gjatë, sipas agjencisë Anadolu. Ajo raportoi gjithashtu se Turqia kishte gati përfunduar ndërtimin e një muri prej 144 kilometrash përgjatë kufirit me Iranin.