Mohohet transferimi i raketave iraniane në Irak
Zëdhënësi i Ministrisë së jashtme të Irakut ka mohuar deklaratat e mediave për transferimin e raketave balistike iraniane në Irak dhe që ato u janë dorëzuar grupeve të armatosura irakiane.
Ahmed Al Muhabab ka thënë se nuk është e nevojshme që Ministria e jashtme irakiane t'i përgjigjet këtyre deklaratave të pabaza të mediave. Irani e ka refuzuar fuqishëm duke e konsideruar si "të rremë, të pakuptimtë dhe qesharak" një raport të kohëve të fundit në media se Teherani ka dërguar raketa në Irak, duke thënë se këto pretendime kanë për qëllim të ushqejnë Iranofobinë në rajon. "Ajo që është thënë dhe botuar nga disa qeliza famëkeqe dhe media të caktuara rreth transferimit të raketave iraniane në Irak është një deklaratë absurde dhe e pavërtetë", tha zëdhënësi i Ministrisë së jashtme të RII z. Behram Kasemi të shtunën. "Raporti ka për qëllim vetëm krijimin e frikës midis vendeve të rajonit" dhe është në përputhje me politikat e Iranofobisë, shtoi ai. Kasemi theksoi se raportet e tilla janë "krejtësisht të rreme dhe qesharake" dhe nuk kanë asnjë qëllim, pos të "ndikojnë në marrëdhëniet e jashtme të Iranit, veçanërisht në lidhjet me fqinjët e tij".