UNICEF: Çdo 10 minuta humb jetën një fëmijë në Jemen
UNICEF në një raport të tij ka publikuar një fakt tronditës dhe thotë se çdo 10 minuta në Jemen humb jetën një fëmijë.
Fondi Ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara Për Fëmijët (UNICEF) ka paralajmëruar se më shumë se shtatë milionë fëmijë po përballen me një kërcënim serioz të urisë në Jemen, pasi regjimi i Riadit po vazhdon fushatën e tij bombarduese kundër fqinjit jugor. "Sot 1.8 milionë fëmijë nën moshën pesë vjeç janë duke u përballur me kequshqyerje akute dhe 400.000 janë të prekur nga kequshqyerja e rëndë akute", tha të mërkurën, Geert Cappelaere, drejtor rajonal i UNICEF në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Cappelaere vuri në dukje se "më shumë se gjysma" e 14 milionë njerëzve në rrezik serioz prej urisë në Jemen janë fëmijë.