Jemen: Shkatërrohet një rrjet spiunazhi në Hudejda
Lëvizja popullore Ansarullah, ka zbuluar dhe shkatërruar një rrjet spiunazhi të varur nga koalicioni saudit, në provincën Hudejda.
Rrjeti i spiunazhit drejtohej nga baza ajrore Khamis Mushait në jugperëndim të Arabisë Saudite. Rrjeti u shkatërrua në kohën kur mbrojtja ajrore e ushtrisë dhe e komiteteve popullore të Jemenit rrëzoi dy dronë spiunë të koalicionit agresor të udhëhequr nga Arabia Saudite në krahinën jugore të Xhizanit. Një burim ushtarak jemenas tha se dronët u rrëzuan në lindje të rajonit Xhabal Al-Daud. Ai gjithashtu vuri në dukje se avionët e forcave agresore sulmuan tre herë sot rajonin Xhabal Tuelik në provincën Xhizan. Mbrojtja ajrore e Jemenit dy ditë më parë ka rrëzuar gjithashtu një dron spiun saudit në rajonin Xhabal al-Dud në lindje të Xhizanit. Ndërkohë, burime saudite i thanë agjencisë AFP të mërkurën se mercenarët e mbështetur nga sauditët ishin "urdhëruar" ta ndalnin ofensivën në Hudejda deri në një njoftim të mëtejshëm. Ata thanë se do të rifillonin operacionet nëse do të sulmoheshin. Njoftimi erdhi një ditë pasi Mark Lowcock, Nënsekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara për Çështjet Humanitare, kërkoi një armëpushim rreth rajonit Hudejda në jugperëndim të Jemenit. Ofensiva e forcave agresore saudite në Hudejda ka shkaktuar shqetësime lidhur me ndikimin e saj në popullatën civile, si dhe në operacionet e ndihmës humanitare.