Policia izraelite përgatit padinë për korrupsion, ndaj kryeministrit Netanjahu
Policia izraelite njoftoi mëngjesin e sotëm se gjatë hetimit të saj ka gjetur dëshmi të mjaftueshme për të ngritur akuzat për ryshfet dhe mashtrim ndaj kryeministrit Beniamin Netanjahu.
Akuzat do të ngrihen edhe ndaj gruas së kryeministrit izraelit, e cila duket e implikuar në këtë çështje, që është edhe rasti i tretë i korrupsionit i kryeministrit të regjimit sionist Netanjahu.
Autoritetet pretendojnë se Netanjahu dha favore rregullatore ndaj “Bezeq Telecom Israel”, në këmbim të mbulimit më pozitiv të tij dhe gruas së tij në një faqe interneti të lajmeve, në pronësi të kompanisë.
Vetë Netanjahu mohon çdo akuzë për këtë rast, por tashmë duket se do të përballet me akuzat e policisë, që pritet të dorëzojë padinë së shpejti në gjykatë.
Kryeministri i regjimit sionist nuk po kalon një periudhë aspak të mirë, pas dorëheqjes së njërit prej ministrave të tij, që vinte nga një parti në koalicion me atë të Netanjahut.
Aktualisht koalicioni qeverisës së regjimit sionist është dobësuar ndjeshëm dhe ndaj Netanjahut ka pasur thirrje për të dhënë dorëheqjen dhe për t’u hapur udhë zgjedhjeve të parakohshme.