Tokat e kujt po fal Trump? Mblidhet KS i OKB
(last modified Wed, 27 Mar 2019 19:22:52 GMT )
Mars 27, 2019 20:22 Europe/Tirane
  • Tokat e kujt po fal Trump? Mblidhet KS i OKB

Shtetet e Bashkuara janë bërë objekt i një raundi të ri të zemërimit nga vendet e botës për vendimin arbitrar për të njohur "sovranitetin" e Izraelit mbi lartësitë e Golanit të Sirisë që janë pushtuar nga regjimi i Tel Avivit.

Presidenti amerikan vendosi të njohë pushtimin izraelit të lartësive Golan. Ky vendim i Trump nuk ka shkuar pa u vënë re dhe dënimet kanë ardhur nga e gjithë bota dhe organizata ndërkombëtare si dhe grupe të të drejtave të njeriut. Irani, Turqia, Libani, Rusia dhe BE ishin të shpejtë për të kundërshtuar vendimin e Trump, i cili është në kundërshtim të dukshëm me të drejtën ndërkombëtare. "Askush nuk mund të imagjinonte se një person në Shtetet e Bashkuara do të jepte njëanshëm një pjesë të tokës që i përket një kombi tjetër, një uzurpatori në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare", tha Presidenti iranian Hasan Ruhani. "Deklaratat shqetësuese rreth shkeljes së të drejtave palestineze dhe siriane, veçanërisht për lartësitë e Golanit, janë shumë të rrezikshme për sigurinë rajonale", shtoi ai. Turqia - e cila ka qenë kryesisht kundër qeverisë siriane gjatë një lufte tetëvjeçare - theksoi se SHBA nuk kishin të drejtë t'i "japin" Golanin, Izraelit. "Cilat toka po i jepni Izraelit, Trump? Këto toka janë territor sirian sipas OKB-së", tha presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan në një tubim në Stamboll. Ndërkohë, presidenti libanez Michel Aoun tha se qëndrimi i ri i SHBA mbi Golanin nxit shqetësimet në vendet e rajonit dhe minon ligjin ndërkombëtar. "Sigurisht, kjo është një çështje shqetësuese, duke shkaktuar shqetësime specifike në ato vende që ndodhen në afërsi të drejtpërdrejtë me Izraelin", shtoi ai. Zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse Maria Zakharova tha se njohja e Golanit të okupuar mund të shërbejë si prelud për propozimin e Trump-it për konfliktin izraelito-palestinez - të cilin ajo e quajti "surprizë për të gjithë ne".Ndërkohë, Belgjika, Britania, Franca, Gjermania dhe Polonia - pesë vende të BE që janë në Këshillin e Sigurimit të OKB - theksuan se pozicioni evropian mbi Golanin nuk kishte ndryshuar. "Ne nuk e njohim sovranitetin e Izraelit mbi territoret e pushtuara nga Izraeli që nga qershori 1967, duke përfshirë lartësitë e Golanit dhe ne nuk i konsiderojmë ato si pjesë të territorit të Izraelit", tha ambasadori belg në OKB, Marc Pesteen de Buytswerve. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të takohet të mërkurën, me kërkesë të Sirisë, për të diskutuar vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump për të njohur sovaranitetin e Izraelit në Lartësitë Golan. Në një letër drejtuar 15 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, Siria e ka përshkruar vendimin e Shteteve të Bashkuara si “shkelje flagrante” të rezolutës së këtij Këshilli. Anëtarët evropianë në këtë Këshill, Franca, Britania, Gjermania, Belgjika dhe Polonia, kanë thënë të martën se nuk njohin sovranitetin e Izraelit në këtë territor dhe kanë ngritur shqetësime rreth “pasojave tjera” që mund të sjellë njohja e këtij aneksimi ilegal. Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Katari dhe Kuvajti, kanë kritikuar të martën vendimin amerikan, duke thënë se territori është pushtuar në tokën arabe.

 

Tags