Emisarët e Britanisë në Teheran?
Kryeministri irakian Adel Abdel Mehdi mbërriti të hënën (22 korrik) në Teheran, ndërsa Ministri i Jashtëm i Omanit pritet të shtunën e ardhshme në kryeqytetin iranian.
Cilat janë objektivat e këtyre udhëtimeve? Që nga shpërthimi i tensioneve midis Iranit dhe Britanisë për shkak të konfiskimit të paligjshëm të cisternës që transportonte naftë iraniane në ngushticën e Gjibraltarit nga ana e Marinës Mbretërore, rajoni ka qenë në një situatë të vështirë. Veprimi i zgjuar i Iranit, domethënë arrestimi i tankerit britanik të naftës i cili ka shkelur ligjet ndërkombëtare të transportit në Gjirin Persik, ka shkaktuar shqetësim në disa vende. Në rajon dhe jashtë rajonit, disa vende, të tilla si Franca, Iraku dhe Sulltanati i Omanit, janë gati të marrin një rol ndërmjetësues në zbutjen e tensioneve në rajonin e nxehtë të Gjirit Persik. Meqenëse Iraku dhe Omani kanë marrëdhënie të gjera me Perëndimin, duket se vizita e Adel Abdel Mehdi dhe vizita e afërt e Jusef ben Alavi mund të kontribuojnë në zbutjen e tensioneve midis Iranit dhe Perëndimit. Duket se britanikët e kanë kuptuar se konfiskimi i supertankerit që mbante naftë iraniane në Ngushticën e Gjibraltarit ishte një gabim i madh. Por anglezët e kanë zakon që të zgjidhin çështjet e tyre larg zhurmës mediatike. Prandaj ata zgjedhin një palë të tretë, një emisar të besuar për të përcjellë mesazhin e tyre dhe për të zgjidhur ngërçin pa humbur fytyrën. Është gjithashtu e mundshme që Ministri i Jashtëm i Omanit do të përfitojë nga vizita e tij e ardhshme në Iran për të diskutuar marrëdhëniet Teheran-Riad. Nuk përjashtohet mundësia që diplomati i parë i Omanit gjithashtu do të përcjellë në Teheran një mesazh nga sauditët. Duhet të vihet në dukje se RII ka deklaruar më shumë se një herë se nuk ka nevojë për emisarë dhe ndërmjetës, ndërkohë që është e hapur ndaj qëllimeve të mira të vendeve fqinjë për të zgjidhur tensionet në rajon.