Ansarallah: Sulmi në Aramco është vetëm maja e ajsbergut
Këshilli i Lartë Politik i Jemenit ka premtuar sulme operacionale në shkallë të gjerë mbi Arabinë Saudite në rast të dështimit të procesit politik, ndërsa shprehu vullnetin e mirë të Ansarallahut për të arritur paqen.
Të enjten, 3 tetor, Këshilli i Lartë Politik i Jemenit tha në një deklaratë se sulmi i fundit në objektet e naftës të kompanisë saudite Aramco ishte vetëm maja e ajsbergut në lidhje me aftësitë e Ansarallah, raportoi Sputnik. "Përgatitjet për operacione në shkallë të gjerë janë duke u zhvilluar, me qëllim të përgatitjes së sulmeve intensive për të shkatërruar agresorin, nëse përpjekjet politike të iniciuara nga Mahdi al-Mashat, kreu i Këshillit Suprem Politik të Jemenit, nuk do të kenë sukses", tha në një deklaratë Këshilli i Lartë Politik i Jemenit. Sipas deklaratës, plani i paqes i iniciuar nga Mahdi al-Mashat planifikon t'u japë fund sulmeve në dy faza. Në të njëjtën kohë, Qeveria e Shpëtimit Kombëtar të Jemenit, me seli në Sana'a, tha se teknologjia ushtarake e Ansarallahut i lejon atij të arrijë fitore të mëdha. Forcat e armatosura të Jemenit i këshillojnë Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe që të marrin seriozisht rrugën politike, përndryshe ata do të jenë humbësit e mëdhenj në nivelin ushtarak dhe ekonomik.