Një kompani izraelite nxjerr naftën e vjedhur siriane?
https://parstoday.ir/sq/news/west_asia-i92876-një_kompani_izraelite_nxjerr_naftën_e_vjedhur_siriane
A ka filluar plani për krijimin e shtetit kurd në lindje të Eufratit me mbështetjen izraelito-amerikane? A është afruar koha që Asadi të zbatojë kërcënimet e tij për të ndezur fitilin e luftës guerile?
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Dhjetor 02, 2019 08:22 Europe/Tirane
  • Një kompani izraelite nxjerr naftën e vjedhur siriane?

A ka filluar plani për krijimin e shtetit kurd në lindje të Eufratit me mbështetjen izraelito-amerikane? A është afruar koha që Asadi të zbatojë kërcënimet e tij për të ndezur fitilin e luftës guerile?

Informacioni serioz i zbuluar nga gazeta turke “Yeni Şafak” dhe i konfirmuar nga “Los Angeles Times” në lidhje me dhënien e privilegjeve  të qindra puseve të naftës siriane në lindje të Eufratit nga ana e administratës autonome kurde ndaj një kompanie izraelite për nxjerrjen dhe transferimin e saj përmes territorit jordanez në Palestinën e okupuar, duket tronditës, për disa arsye:

  • së pari, sepse kjo vjedhje e pasurive siriane bëhet me mbështetje amerikane,
  • së dyti, sepse kurdët sirianë tradhtuan atdheun sirian dhe bashkëpunuan me shtetin pushtues,
  • dhe së treti, për shkak se Jordania - nëse ky informacion është i vërtetë dhe nuk ka asnjë mohim të tij deri tani - e lejoi dhe e lehtësoi këtë vjedhje përmes territorit të saj.

Në një intervistë me gazetën hebraike “Israel Hayom” të publikuar disa ditë më parë, biznesmeni izraelit Mordechai (Moti) Kahana e konfirmoi këtë marrëveshje midis kurdëve dhe kompanisë së tij “Global Development Corporation” dhe tha: “Unë nuk dua që nafta t’i përkasë Iranit apo regjimit të Asadit. Të ardhurat po përdoren për të financuar ndërtimin e një Sirie demokratike dhe mbrojtjen e saj.”

Prodhimi aktual i naftës nga puset siriane në fushat Al-Omar, Al-Tanak, Koniko, Al-Jafra, Al-Rumailat, Al-Suwaidia, Kebibe, Merkeda, Tishrin, Al-Jibsa dhe Al-Shaddawi, në lindje të Eufratit, aktualisht është 125000 fuçi në ditë dhe ka plane për ta ngritur atë në 400000 fuçi në ditë.

Kur i ashtuquajturi Shteti Islamik (ISIS) kontrollonte këto puse, autobotet e ngarkuara me naftë shkonin për në Turqi. Por tani, sipas këtyre raporteve, për shkak të mbylljes së territorit turk, pasi autoritetet turke e dinë që paratë do t'u kthehen Forcave Siriane Demokratike (SDF), itinerari i ri tani është përmes territorit të Irakut, dhe prej andej për në Jordani, dhe prej aty për në destinacionin e tij të fundit, në portet eksportuese në Palestinën e pushtuar.

Deklaratat e presidentit Donald Trump, të lëshuara disa ditë më parë, nëpërmjet të cilave zbuloi praninë e 800 trupave amerikane për të mbrojtur puset e naftës dhe ftesën që u bëri disa kompanive amerikane të naftës, si Exxon Mobile, për t’i vënë ato në punë, si dhe fillimin e punimeve të eksplorimit për të rritur prodhimin e tyre, me sa duket ishin me qëllim që të kamuflojnë dhe të mbulojnë depërtimin e Izraelit në këto puse, shfrytëzimin e tyre dhe dhënien e një pjese të madhe të të ardhurave për separatistët kurdë, gjë e cila ndihmon në ndërtimin e shtetit të tyre në veri-lindje të Sirisë.

Presidenti sirian Bashar al-Asad iu referua më shumë se një herë këtij fakti në intervistat e tij të fundit të dhëna për disa stacione televizive ruse dhe tërhoqi vëmendjen ndaj kësaj piraterie amerikane kundër pasurive naftore siriane dhe tha se ai nuk mund të përballet tani për tani me Amerikën si superfuqi, por do t’i kundërvihet asaj, d.m.th piraterisë amerikane, duke zhvilluar një luftë guerrile, siç ndodhi në Irak gjatë pushtimit amerikan, për të rimarrë të gjitha këto puse dhe për të dëbuar forcat amerikane nga aty.

Kjo pasuri e naftore është pronë e të gjithë popullit sirian dhe jo e separatistëve kurdë, të cilët po dëshmojnë edhe një herë mosbindjen e tyre ndaj shtetit amë sirian dhe po punojnë me amerikanët dhe izraelitët për të copëtuar Sirinë dhe për të zhvatur zonën e Eufratit veri-lindor të pasur me burime bujqësore, ujore dhe naftore.

Infiltrimi i një kompanie izraelite të naftës në këtë rajon dhe shfrytëzimi i pasurive të saj do të sigurojë një argument të fortë për fiset e rajonit arab dhe për kurdët e ndershëm që të tregojnë rezistencë ndaj këtyre vjedhjeve, të cilat bëhen nën mbrojtjen rrugaçërore amerikane dhe me mbështetje izraelite.

Shpresojmë që Jordania, toka e njerëzve fisnikë, e cila i refuzoi të gjitha presionet izraelito-amerikane dhe rimori tokat e saj në Al-Baqoura dhe Al-Ghamr, të mos jetë pjesë e këtij komploti dhe të mos lejojë që nafta e vjedhur siriane të kalojë nëpër territorin e saj. Sa i përket rezistencës ndaj pushtimit amerikano-izraelit të Eufratit lindor, ata e shohin atë të largët, kurse ne e shohim të afërt. Ditët dhe muajt e ardhshëm do të vërtetojnë këto që themi.

 

*Editorial i gazetës elektronike “Ra’jul Jeum”, i publikuar më datë 18 nëntor 2019.