Protesta në Bejrut, vazhdon kriza në Liban
Nga protestat e fundit të mbajtur në Bejrut kryeqytetin e Libanit, 60 persona kanë mbetur të plagosur.
Sipas qendrës së urgjencës në kryeqytetin libanez, 14 nga të plagosur janë shtruar në spital në gjendje të rëndë ndërsa pjesa tjetër ka marrë ndihmën e shpejtë dhe janë në gjendje të mirë. Në kohën kur protestat në Bejrut dhe në disa qytete të tjera të Libanit vazhdojnë, presidenti Mishel Aun ka mbajtur një takim me guvernatorin e Bankës Qendrore dhe me përfaqësues të shoqërisë së bankave në vend për të analizuar situatën ekonomike dhe financiare të vendit. Libani që nga 17 tetori është përfshirë nga protestat qytetare dhe këto protesta rezultuan me dorëheqjen e kryeministrit libanez Saad Hariri. Libani njihet si “Nusja” e Lindjes së Mesme, por që nga 17 tetori është përfshirë nga protestat anti-qeveritare. Një prej karakteristikave më të rëndësishme të protestave të fundit të Libanit, është kjo se në këto protesta kanë marrë pjesë të gjitha grupet dhe shtresat e shoqërisë së Libanit dhe për herë të parë këto protesta janë organizuar në mënyrë të koordinuar duke lënë anash mosmarrëveshjet politike dhe qytetarët kanë kundërshtuar politikat ekonomike të qeverisë. Veprimet e para protestuese filluan me vendosjen e tatimeve mbi kontaktet telefonike nëpërmjet rrjetit social “WhastApp”, mirëpo kjo është vetëm arsye sipërfaqësore dhe e dukshme e protestave në Liban. Pakënaqësia e qytetarëve të Libanit nga aspekti ekonomik, ka rrënjë dhe themele më të thella. Qytetarët në rajone të ndryshme të Libanit kanë protestuar kundër gjendjes ekonomike dhe korrupsionit shtetëror.