Hassan Diab prezantohet si kryeministër i ri i Libanit
Hassan Diab, nga radhët e sunitëve dhe ish ministër libanez i arsimit të lartë, u emërua si kryeministri i ri i vendit dhe mori misionin të formojë kabinetin e ri qeveritar.
Zyra e presidentit libanez Michel Aoun në një deklaratë tha se këshillimet parlamentare për të zgjedhur kryeministrin e Libanit kanë përfunduar dhe Hassan Diab mori aprovimin me 69 vota për formimin e kabinetit qeveritar. Hassan Diab, i cili u emërua nga presidenti Michel Aoun të enjten pasi mori shumicën e votave në Asamblenë Kombëtare Libaneze, tha: "Pas këshillimit me ish kryeministrat, deputetët, partitë dhe forcat politike do të formoj një qeveri aktive me praninë e teknokratëve dhe figurave të shquara politike. Diab theksoi se do t'i kushtojë vëmendje vullnetit të popullit dhe se qeveria e ardhshme do të jetë në përputhje me dëshirat e popullit libanez për të adresuar shqetësimet e tyre, ku në rend të ditës do të jetë lufta kundër korrupsionit. Saad Hariri dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit më 29 Tetor pas shtimit të protestave popullore.