Ambasada e SHBA në Irak u evakuua pas protestave popullore
https://parstoday.ir/sq/news/west_asia-i93617-ambasada_e_shba_në_irak_u_evakuua_pas_protestave_popullore
Këtë të martë, në funeralin e 30 viktimave të sulmeve amerikane të kryera më 29 dhjetor kundër 5 bazave të forcave ushtarake irakiane Hashd al- Shaabi në Kaim dhe Abu-Kamal, shpërtheu urrejtja anti-amerikane e popullit irakian.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Dhjetor 31, 2019 16:33 Europe/Tirane
  • Ambasada e SHBA në Irak u evakuua pas protestave popullore

Këtë të martë, në funeralin e 30 viktimave të sulmeve amerikane të kryera më 29 dhjetor kundër 5 bazave të forcave ushtarake irakiane Hashd al- Shaabi në Kaim dhe Abu-Kamal, shpërtheu urrejtja anti-amerikane e popullit irakian.

Mijëra protestues të zemëruar u mblodhën te Ambasada e SHBA-së në Bagdad të martën, duke protestuar kundër sulmeve ajrore të SHBA-së. Duke bërtitur “Vdekje Amerikës!” mijëra persona nga turma arritën të thyejnë portën për tu futur brenda ambienteve të ambasadës ku ndezën zjarre dhe shkatërruan kamerat e sigurisë. Sipas kanalit arab saudit Al-Arabiya, mijëra irakianë që kanë dalë në rrugët e kryeqytetit Irakian janë drejtuar në ambasadën amerikane, megjithë masat e forta të sigurisë përreth ndërtesës. Me sloganet "Vdekje Amerikës", "Yankee, largohuni nga Iraku!", demonstruesit i vunë zjarr dhjetëra flamujve amerikanë dhe sulmuan ndërtesën e ambasadës. Ambasadori amerikan në Bagdad, Matthew Toler, la kryeqytetin për një destinacion të panjohur, ashtu si edhe rreth 80 punonjës të ambasadës amerikane, të cilët u evakuuan nga kryeqyteti që nga e diela në mbrëmje, njoftoi Pentagoni. Forcat ajrore amerikane sulmuan pozicionet e Hashd al-Shaabit në kufijtë Irak-Siri, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 30 trupave të forcave ushtarake irakiane, përfshirë edhe disa komandantë. Këto sulme janë bërë shkak për unitet në radhët e politikanëve irakianë, të cilët, duke u përballur me kërkesat e popullit, tani kërkojnë një rishikim të pakteve dhe marrëveshjeve të nënshkruara me Uashingtonin. Aktualisht në Irak, njerëzit nuk po largohen nga rrugët dhe demonstratat anti-amerikane janë shtuar gjatë 24 orëve të fundit.