Vizitë e papritur e Putinit në Siri
Presidenti rus Vladimir Putin ka bërë një vizitë befasuese në kryeqytetin e Sirisë, Damask, duke u takuar me presidentin sirian Bashar al-Asad dhe duke vëzhguar "shenjat e jetës paqësore" në qytet.
Të dy udhëheqësit u takuan në qendrën e komandës të forcave ruse në kryeqytetin sirian të martën, vetëm disa orë pasi avioni i Putinit u ul në aeroportin ndërkombëtar të Damaskut, njoftoi agjensia zyrtare e lajmeve e Sirisë, SANA. Putin dhe Asad dëgjuan raportet e zyrtarëve ushtarakë për kushtet në terren në rajone të ndryshme të Sirisë, e cila ka marrë ndihmë nga Rusia në formën e sulmeve ajrore kundër terroristëve që nga shtatori 2015. Gjatë takimit të tyre, presidenti rus i tha Asadit se "shenjat e jetës paqësore janë të dukshme në rrugët e Damaskut," sipas zëdhënësit të Kremlinit Dmitry Peskov. Gjatë vizitës së tij, Putin përshëndeti gjithashtu përparimet e fundit të bëra nga forcat e qeverisë siriane.