Siria: Terrorizmi ekonomik, plotësues i terrorizmit fizik
Përfaqësuesi i përhershëm i Sirisë në OKB deklaroi se terrorizmi ekonomik është plotësues i veprimeve kundër njerëzimit të grupeve terroriste.
Agjencia e lajmeve IRNA njoftoi se Bashar Xhafari, përfaqësuesi i përhershëm i Sirisë në OKB, të mërkurën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB që u zhvillua për shqyrtimin e situatës humanitare në Siri, tha: "Terrorizmi ekonomik që po ushtrohet nga shtetet perëndimore kundër Damaskut, po plotëson veprimet e grupeve terroriste të cilat ndodhen në listën e zezë të KS të OKB".
Përfaqësuesi i përhershëm i Sirisë në OKB shtoi: "Damasku është i çuditur me heshtjen e disa autoriteteve të organizatave ndërkombëtare në lidhje me vuajtjen dhe dhimbjen e popullit sirian të shkaktuar nga terrorizmi, agresioni dhe veprimet ekonomike të njëanshme dhe nga veprimet e forcave pushtuese".
Bashar Xhafari duke thënë se zyra e OKB për koordinimin e çështjeve humanitare, ka anashkaluar 64 raporte përkatëse me sanksionet ekonomike mbi jetën e miliona qytetarëve sirianë, theksoi: "Zyra e OKB për koordinimin e çështjeve humanitare në Siri nuk pranon të dërgojë ndihma humanitare për banorët e më shumë se 40 qyteteve dhe qytezave të çliruara nga pushtimi i terroristëve në Idlib dhe rajonet e tjera".