Takimi Netanjahu- Ben Salman synon legalizimin e Marrëveshjes së Shekullit
Një nga politikat e rëndësishme të ndjekura nga Netanjahu dhe Sekretari i Shtetit i SHBA Mike Pompeo është legalizimi i planit të Marrëveshjes së Shekullit.
Kjo politikë është ndjekur veçanërisht duke bindur vendet arabe që të pranojnë planin e Trump. Për këtë arsye, ambasadorët e Jordanisë, Omanit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahrejnit ishin të pranishëm në ceremoninë e zbulimit të Marrëveshjes së Shekullit në Uashington. Tani në hapin tjetër, Sekretari i Shtetit i SHBA po kërkon gjithashtu të zbulojë hapur pëlqimin e vendeve të tjera arabe për marrëveshjen e shekullit, ku një prej tyre është Arabia Saudite. Edhe pse ambasadori saudit nuk ishte i pranishëm në zbulimin e Marrëveshjes së Shekullit, pushtetarët e Riadit nuk e kanë kundërshtuar planin. Arabia Saudite është e shqetësuar se mbështetja publike e planit racist dhe anti-palestinez të marrëveshjes së shekullit do të shkatërronte imazhin e saj të supozuar si mbështetëse e vendeve islamike, veçanërisht Palestinës. Autoritetet izraelite raportohet se po punojnë shumë për të përgatitur një takim mes kryeministrit Benjamin Netanjahu dhe princit të kurorës së Arabisë Saudite Muhamed bin Salman në mbretërinë saudite, pasi regjimi i Tel Avivit po i forcon hapur marrëdhëniet e tij me disa vende arabe pas viteve të kontakteve klandestine. Revista Israel Defense, raportoi të enjten e kaluar se po bëhen përpjekje që një takim i tillë të ndodhë në kryeqytetin saudit Riad para zgjedhjeve legjislative izraelite, të cilat janë caktuar për në 2 Mars. Konsultime të forta janë duke u zhvilluar midis SHBA, Izraelit, Arabisë Saudite dhe Egjiptit për të zhvilluar bisedime në Kajro në javët e ardhshme midis Kryeministrit Sionist Benjamin Netanjahu dhe Princit të Kurorës Saudite Muhamed bin Salman. Takimi është planifikuar të zhvillohet në Kajro me pjesëmarrjen e liderëve të SHBA, të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sudanit, Bahrejnit, Omanit, Arabisë Saudite dhe Izraelit. Raporti shtoi se takimi i pritshëm është në kuadër të përpjekjeve të regjimit izraelit për të normalizuar marrëdhëniet me shtetet arabe, të cilat filluan në Oman dhe më pas u përhapën në Marok dhe Sudan. Përpjekjet me sa duket mbështeten edhe nga Shtëpia e Bardhë. Çështja e rëndësishme është se Marrëveshja e Shekullit në fakt ka zbuluar përçarje të thella në botën arabe për çështjen Palestineze. Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordania, Bahreini, Oman idhe Egjipti janë në njërën anë, duke e mbështetur hapur ose në mënyrë të tërthortë Marrëveshjen e Shekullit, ndërsa vende si Palestina, Iraku, Libani, Siria, Tunizia dhe Kuvajti e kundërshtojnë atë. Plani i Trump nga shumica e vendeve të botës njihet si gënjeshtra e shekullit ose tradhtia e shekullit kundër Palestinës. Majin e kaluar, gazeta libaneze al-Akhbar njoftoi se princi i kurorës Saudite i kishte ofruar shefit të Autoritetit Palestinez Mahmud Abas 10 miliardë dollarë në këmbim të pranimit të propozimit të diskutueshëm të Trump për paqen midis izraelitëve dhe palestinezëve, të quajtur "marrëveshja e shekullit". Akhbar vuri në dukje se Abas e kishte refuzuar ofertën, duke thënë se mbështetja e marrëveshjes do të ishte "fundi i jetës së tij politike".