Marrëveshja e Moskës, dalje e përkohshme e Erdoganit nga kriza
Kolumnisti i gazetës Rai al-Youm, Abdel Bari Atuan tha se marrëveshja e Moskës midis presidentëve rusë dhe turq për Idlibin kishte sjellë vetëm një armëpushim të brishtë në terren.
Fundi i krizës për Presidentin Erdogan do të jetë i përkohshëm përballë vendosmërisë së ushtrisë Siriane për të çliruar plotësisht qytetin e Idlibit. Presidenti Erdogan ka pranuar se qindra ushtarë të ushtrisë turke janë vrarë në Idlib pas sulmeve nga ushtria siriane. Deklaratat e Presidentit turk janë në kundërshtim me fjalët e Ministrit të tij të Mbrojtjes dhe zëdhënësve ushtarakë që donin të minimizonin numrin e viktimave të ushtrisë së tyre, me qëllim që të qetësonin zemërimin në rritje të popullatës turke. Pas takimit me presidentin rus në Moskë, Erdogan u tha gazetarëve që e shoqëruan atë në aeroplan se ushtria turke ishte duke u përballur në Idlib me "regjimin sirian" dhe jo me Rusinë. Por Abdel Bari Atuan kujton se 34 ushtarë të ushtrisë turke u vranë në sulmet ajrore ruse në periferi të Idlibit dhe se Moska e konfirmoi këtë duke nënvizuar se "këta ushtarë turq ishin në anën e elementëve që u përkisnin grupeve terroriste ”. Redaktori i gazetës Rai al-Youm shton se marrëveshja e lidhur në Moskë midis presidentëve rusë dhe turq kishte disa pika detyruese për palën turke, shumica e të cilave ishin përmendur tashmë në marrëveshjen e Soçit:
1-Turqia merr përsipër të respektojë sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial të Sirisë;
2-Turqia dhe Rusia janë të vendosura të luftojnë terrorizmin dhe të gjitha organizatat (përfshirë Frontin Al-Nusra) që Këshilli i Sigurimit i KB i ka cilësuar si terroriste;
3-Moska dhe Ankaraja ranë dakord se kërcënimi për sigurinë e sirianëve dhe infrastrukturës së tyre nuk mund të justifikohet nën asnjë pretekst;
4-Turqia dhe Rusia pohojnë se nuk ka zgjidhje ushtarake për konfliktin sirian i cili mund të zgjidhet vetëm me një proces politik të udhëhequr dhe zbatuar nga vetë sirianët me mbështetjen e OKB;
5-Të gjitha luftimet duhet të ndalen përgjatë vijës së kontaktit në Idlib për të parandaluar përshkallëzimin;
Sipas Abdel Bari Atuan, një ekzaminim i shpejtë i këtyre pikave çon në përfundimin se nuk ka asnjë indikacion ose aluzion për tërheqjen e forcave të ushtrisë siriane nga qytetet dhe fshatrat që kontrollon përreth qytetit të Idlibit, në kundërshtim të plotë me kërkesat fillestare të Presidentit Rexhep Tajip Erdogan. Sipas tij, kjo marrëveshje me Rusinë është pra vetëm një dalje e përkohshme nga kriza për presidentin turk, sepse marrëveshja e lidhur në Moskë nuk jepte zgjidhje as për mosmarrëveshjet që shkaktuan shpërthimin e konfrontimeve ushtarake në terren dhe as për çështjen e një milion refugjatëve që u larguan nga krahina e Idlibit dhe u vendosën pranë kufirit turk. Si përfundim, redaktori i Rai al-Youm beson se përballë vendosmërisë së ushtrisë siriane për të çliruar plotësisht qytetin e Idlibit, marrëveshja turko-ruse e lidhur në Moskë nuk mund të zgjasë shumë. Ai beson se armëpushimi është veçanërisht i brishtë dhe në fund të fundit do të jetë vetëm një pauzë që ushtria siriane të përgatitet për operacionin e saj të ardhshëm në Idlib.