Princi saudit troket në derë!
Princi i Kurorës i Arabisë Saudite raportohet se përsëri i ka kërkuar Kryeministrit të ri irakian të ndërmjetësojë midis Riadit dhe Teheranit.
Burime të mirinformuara i thanë gazetës Middle East Eye se Princi i Kurorës Saudite, Mohamed bin Salman, në një bisedë telefonike i ka kërkuar Kryeministrit të ri irakian, Mustafa al-Kazemi, të ndërmjetësojë midis Riadit dhe Teheranit. "Pasi tërhoqi sistemet e tij të mbrojtjes ajrore "Patriot" nga Arabia Saudite, Uashingtoni rriti presionin ndaj Riadit për ta detyruar atë të përfundojë konfliktin e tij me Katarin. Në këtë proces, emiri i Kuvajtit dërgoi një delegacion në Katar për të rifilluar negociatat ", raporton Middle East Eye. Sipas një zyrtari irakian që preferoi të mbetet anonim, "Sauditët e dinë shumë mirë që ata nuk mund të besojnë më tek amerikanët për të dobësuar dhe frenuar Iranin". Përveç tërheqjes së Patriotëve nga toka saudite, autoritetet amerikane kanë njoftuar se do të konsiderojnë uljen e mbështetjes së tyre ushtarake për Arabinë Saudite. "Katër bateri Patriot dhe dhjetëra trupa amerikane do të largohen nga Arabia Saudite," thanë zyrtarët në kushte anonimiteti. Përveç kësaj, burime mirinformuara i thanë Wall Street Journal se dy skuadrone të avionëve luftarakë amerikanë tashmë janë larguar nga Azia Perëndimore dhe se Shtetet e Bashkuara së shpejti do të shqyrtojnë uljen e numrit të forcave të saj detare në Gjirin Persik. Sipas Wall Street Journal, "këto vendime të Pentagonit tregojnë se Shtetet e Bashkuara nuk e shohin më Iranin si një kërcënim iminent për interesat e tyre strategjike". Sipas Associated Press, "Vendimi i Uashingtonit për të zvogëluar mbështetjen e tij ushtarake për Arabinë Saudite mund të shpjegohet nga tensionet midis Shtëpisë së Bardhë dhe Riadit mbi prodhimin e naftës." Iraku edhe më parë ka tentuar të ndërmjetësojë mes Iranit dhe Arabisë Saudite me shpresë se marrëdhëniet mes dy vendeve të fuqishme të rajonit do të përmirësohen dhe se do të zgjidhen konfliktet në Siri, Jemen etj. Gjenerali martir iranian Kasem Soleimani ishte duke shkuar në Bagdad për të marrë një mesazh nga Arabia Saudite, por ai u vra në një sulm të pabesë nga SHBA dhe ky veprim dëshmoi qartë se Uashingtoni dhe Tel Avivi të cilët janë aleatë të ngushtë të regjimit të Riadit në krimet kundër popujve të rajonit, nuk dëshirojnë përmirësimin e marrëdhënieve Teheran-Riad që do të ndikonte në vendosjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë. Princi saudit Ben Salman pas 5 viteve të një sundimi absolut dhe gjakatar, tashmë ndodhet në një situatë të vështirë dhe po kërkon rrugëdalje, por ai ka rënë aq thellë në kurthin amerikano-sionist, saqë është pothuajse e pamundur të dalë prej tij. Republika Islamike e Iranit dëshiron marrëdhëniet më të mira me Arabinë Saudite, por derisa regjimi saudit të jetë vegël e SHBA dhe Izraelit, të sabotojë paqen dhe sigurinë në rajon dhe të vazhdojë t'i lyejë duart me gjakun e popujve të pafajshëm të rajonit, bashkëpunimi me këtë regjim është i pamundur.