Zgjidhet kryeministri i ri i Japonisë
(last modified Mon, 14 Sep 2020 19:22:11 GMT )
Shtator 14, 2020 21:22 Europe/Tirane
  • Zgjidhet kryeministri i ri i Japonisë

Me 337 vota pro, kreu i partisë liberal demokrate është zgjedhur në postin e kryeministrit.

Japonia të mërkurën pritet të caktojë Joshihide Sugan si kryeministrin e ri të vendit.  71-vjeçari fitoi të hënën garën brenda Partisë Demokratike Liberale nën udhëheqjen e kryeministrit në ikje, Shinzo Abe.  Joshihide Suga siguroi 337 vota, kundrejt 89 dhe votave të dy ish-ministrave japonezë që e rivalizonin, ndërsa nga koleget gra, asnjëra nuk mundi të mbledhë votat e nevojshme për kandidim.  Politikani i vjetër ka punuar për gati tetë vite si sekretar i përgjithshëm dhe më herët si ministër i Punëve të Brendshme nën varësinë e kryeministrit Shinzo Abe.  Djali i një rritësi luleshtrydhesh dhe i një mësueseje pas diplomimit në juridik, i hyri politikës në vitin 1987 me zgjedhjen si anëtar i këshillit lokal të Jokohamës, dhe në 1996-n si deputet kur ishte 47 vjeç.  Ai është shprehur se çdo sukses e ka arritur me forcat e veta, në dallim nga paraardhësi, Shinzo Abe, i cili është pjesëtar i një dinastie politike.  Joshihide Suga ka deklaruar se do vijojë politikën e veçantë ekonomike të paraardhësit, me reforma strukturore dhe me një linjë diplomatike që në qendër ka aleancën Japoni-SHBA.  “Unë jam krenar për punën dhe gjërat për të cilat kemi luftuar të gjithë në këto 7 vite e tetë muaj. Që çdo person në Japoni të ndjehet i sigurt dhe që të jetojmë në mënyrë të qëndrueshme, duhet të vijojmë me masat e kryeministrit Abe. Besoj se ky është misioni im.”  Analistët politikë në vend thonë se eksperienca e pakët në çështjet e diplomacisë dhe sigurisë, mungesa e një vizioni të gjithanshëm për zhvillimin e Japonisë mund të rezultojnë problematike për të ardhmen politike të 71-vjeçarit.  Caktimi i tij në krye të qeverisë vjen pasi kryeministri aktual në detyrë, Shinzo Abe, njoftoi më 28 gusht se gjendja shëndetësore ia bënte të pamundur mbylljen e mandatit të dytë qeveritar.  Yoshihide Suga do e vazhdojë pjesën e mbetur të mandatit deri në zgjedhjet e reja në shtator të vitit 2021.

Tags