BE dështon në arritjen e marrëveshjes mbi sanksionet ndaj Bjellorusisë
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, ka deklaruar se kryediplomatët e vendeve anëtare të bllokut nuk kanë mundur të arrijnë një marrëveshje mbi sanksionet ndaj Bjellorusisë.
"Ministrat diskutuan çështjen e sanksioneve. Dhe pavarësisht vullnetit të qartë për të miratuar ato sanksione, nuk ishte e mundur të bëhej sot, sepse nuk u arrit unanimiteti i kërkuar", tha Borrell në një konferencë për media pas takimit të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së. Siç tha Borrell, "çështja do të duhet të konsiderohet nga krerët e vendeve dhe qeverive në Këshillin Evropian më vonë këtë javë". Bjellorusia është kapluar nga protestat masive që kur presidenti Alexander Lukashenko u rizgjodh në zgjedhjet e 9 gushtit, ndërsa kundërshtarët e tij thonë se këto zgjedhje ishin manipuluar. Borrell tha se rezultatet e zgjedhjeve në Bjellorusi ishin "falsifikuar" dhe se blloku evropian nuk i njeh rezultatet. Ai tha se unanimiteti nuk mund të arrihej në takim, sepse administrata greke qipriote nuk ishte pjesë e konsensusit dhe ajo donte sanksionet të lidheshin me sanksionet kundër Turqisë rreth mosmarrëveshjes së kërkimit të gazit në Mesdheun Lindor. "Ky është një problem politik i tensionit të lartë që Këshilli Evropian do të duhet ta zgjidhë. Dhe nuk mund t'ju them se si Këshilli Evropian do ta zgjidhë atë. Do të duhet të diskutohet", tha ai.