Shtohen rastet e Covid-19 në Francë
Për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19, me më shumë se 16 mijë të infektuar në ditë, autoritetet franceze rivendosin disa masa kufizuese.
Dy zona janë ato që po konsiderohen me rrezik më të lartë. Marseja, qyteti i dytë më i madh francez dhe ishulli Guadalupe ku baret dhe restorantet do të mbyllen duke nisur nga kjo e shtunë. “Së pari do të mbyllen të gjitha baret dhe restorantet, do të mbyllen të gjitha institucionet e hapura për publikun duke përjashtuar ato ku ndiqen rregullat strike të higjienës sikundër sitet kulturore, teatrot, muzetë, kinematë. Ato ndjekin një protokoll strikt dhe nuk preket nga masat kufizuese”,- tha Olivier Veran, Ministri francez i Shëndetësisë. Ndërkaq në Britaninë e Madhe pas njoftimit se masat kufizuese do të vijojnë për 6 muaj, vëmendja është përqëndruar tek impakti që ka tek vendet e punës. Qeveria është nën presion nga opozita për të zgjatur një skemë të mbrojtjes së të ardhurave për të shmangur një periudhë vështirësie. " Nuk ka kuptim të vendosen kufizime të reja në të njëjtën kohë kur nuk ka mbështetje për vendet e punës dhe bizneset. Na duhet një përpjekje kombëtare për të mbrojtur vendet e punës dhe për të parandaluar një bllokim të dytë ",- tha Keir Starmer, lider i opozitës në Britani. Ndërkohë Belgjika po ndjek një tjetër trend duke lehtësuar disa kufizime pavarësisht nga rritja e të infektuarve. Në vend maskat nuk do të jenë më të detyrueshme në vendet publike dhe vetizolimi do të reduktohet në 7 ditë. "Në jetën tuaj të përditshme ju mund të takoni të gjithë ata që dëshironi, por ka edhe kushte, ju duhet të ruani distancën fizike e nëse nuk është e mundur atëherë mbani maskë”,- u shpreh Sophie Ëilmes, kryeministre e Belgjikës. Një eksperiment anit-COVID ka nisur në Finlandë, e cila ka vendosur qen nuhatës ndaj coronavirusit në aeroportin kryesor ndërkombëtar. Është një provë katër-mujore e një metode alternative të testimit, që mund të bëhet një mënyrë e përshtatshme për kostot e të identifikuarit udhëtarët e infektuar.