Luftimet në Nargorni Karabak, shtohen humbjet
Dhjetëra janë raportuar të vrarë ndërsa Azerbajxhani dhe Armenia vazhdojnë luftimet në rajonin e shkëputur të Kaukazit Jugor të Nagorni Karabakut.
Gjashtë ditë pas fillimit të luftimeve më të rënda midis forcave ushtarake të Azerbajxhanit dhe forcave armene, Baku thotë se do të vazhdojë luftimet derisa forcat armene të tërhiqen plotësisht nga rajoni. Të Premten, forcat e mbështetura nga Armenia raportuan 54 viktima të tjera ushtarake, duke e çuar numrin e të vdekurve në 158, sipas agjencisë ruse të lajmeve Interfax. Ata thanë se luftimet po vazhdonin përgjatë vijës së frontit pas "një nate relativisht më të qetë". Ministria e Mbrojtjes e Armenisë tha se sistemet e mbrojtjes ajrore të Nagorni Karabakut kishin rrëzuar një aeroplan luftarak dhe dy dronë azerbajxhanas. Një zyrtar armen tha se forcat azerbajxhanase goditën të premten qytetin Khankendi, qyteti kryesor në Karabak që armenët e quajnë Stepanakert, duke plagosur shumë njerëz. "Ka shumë të plagosur në mesin e popullatës civile, infrastruktura civile është dëmtuar," tha zëdhënësi i ministrisë së mbrojtjes armene Artsrun Hovanisyan pa dhënë detaje të mëtejshme. Qeveria separatiste në Khankendi tha se forcat azerbajxhanase shkatërruan një urë që lidhte Armeninë me Karabakun. Separatistët armenë e pushtuan Karabakun në një lëvizje të mbështetur nga Jerevani pas rënies së Bashkimit Sovjetik në 1992. Rreth 30,000 njerëz u vranë në konfliktin që pasoi, i cili përfundoi me një armëpushim të brishtë në 1994, me rreth 20 përqind të territorit të Azerbajxhanit të mbetur nën kontrollin e forcave armene.