Nagorni-Karabak, nuk ka shenja paqeje
https://parstoday.ir/sq/news/world-i100473-nagorni_karabak_nuk_ka_shenja_paqeje
Në ditën e shtatë të konfliktit të armatosur në rajonin e Nagorni-Karabakut, Armenia deklaroi se është e gatshme të punojë me Francën, Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara për të zgjidhur mosmarrëveshjen me Azerbajxhanin.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Tetor 03, 2020 15:52 Europe/Tirane
  • Nagorni-Karabak, nuk ka shenja paqeje

Në ditën e shtatë të konfliktit të armatosur në rajonin e Nagorni-Karabakut, Armenia deklaroi se është e gatshme të punojë me Francën, Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara për të zgjidhur mosmarrëveshjen me Azerbajxhanin.

Përleshjet e fundit - më të dhunshmet në dekada - shpërthyen më 27 shtator, ndërsa Jerevan dhe Baku akuzuan njëri-tjetrin për provokim. Të dy palët kanë pësuar humbje fatale, përfshirë edhe civilët. Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha se ushtria azere u kishte shkaktuar "një goditje dërrmuese" forcave armene në rajon, sipas Sputnik. Ministria, publikoi një video që tregon një sulm ndaj pajisjeve ushtarake armene. "Situata në front mbetet e tensionuar," tha ministria azere e mbrojtjes. Ministria e Jashtme armene tha se Jerevani "është gati të angazhohet" me tre fuqitë e huaja (SHBA, Rusia dhe Franca) për ndalimin e konfliktit. "Armenia është e vendosur për zgjidhjen e konfliktit përmes mjeteve paqësore nëpërmjet Grupit të Minskut", thuhej në deklaratën e ministrisë së jashtme armene. Presidenti i Azerbajxhanit, megjithatë, tha se paqja mund të arrihej vetëm nëse forcat e mbështetura nga Armenia "tërhiqen" plotësisht nga Karabaku. Ilham Aliyev gjithashtu "ia ka vendosur të gjithë përgjegjësinë udhëheqjes së Armenisë për ndërprerjen e negociatave dhe konfrontimin e armatosur", sipas shërbimit të tij të shtypit. Aliyev tha se grupi i Minskut kishte dështuar për tre dekadat e fundit për të bërë përparim në zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Ai tha se Baku nuk po i injoronte thirrjet për armëpushim dhe se "kushtet duhet të jenë që ata të tërhiqen nga territoret". "Ne kemi nevojë për kthimin e territoreve tona me mjete paqësore dhe ne e demonstruam për 28 vjet gatishmërinë tonë për të pasur një zgjidhje paqësore," shtoi Aliyev. Nga ana tjetër, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) ka shprehur alarmin për vdekjet dhe plagosjet në radhët e civilëve, përfshirë fëmijët. "Njerëzit kanë qenë në kontakt me ICRC, të tmerruar për veten dhe familjet e tyre dhe pa ditur se ku të shkojnë ose çfarë të bëjnë për të qëndruar të sigurt," tha një zyrtar i ICRC. Ai gjithashtu paralajmëroi për rrezikun e një rritjeje në rastet e infeksionit të koronavirusit gjatë konfliktit.