Periferitë e Bakusë goditen nga raketat armene
https://parstoday.ir/sq/news/world-i100526-periferitë_e_bakusë_goditen_nga_raketat_armene
Republika e Azerbajxhanit thotë se armiku i saj armen ka filluar sulme raketore kundër një zone pranë kryeqytetit azerbajxhanas Baku.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Tetor 05, 2020 16:37 Europe/Tirane
  • Periferitë e Bakusë goditen nga raketat armene

Republika e Azerbajxhanit thotë se armiku i saj armen ka filluar sulme raketore kundër një zone pranë kryeqytetit azerbajxhanas Baku.

Ndihmësi presidencial i Azerbajxhanit, Hikmet Haxhijev, shkroi në Twitter se ushtria armene ka shënjestruar rajonin Absheron në periferi të Bakusë si dhe qytetin Hızı që ndodhet 104 km në veri të kryeqytetit azer. "Forcat armene shkrepën dy raketa me rreze të mesme (300 km) kundër qyteteve Absheron dhe Hızı të Dielën në 23:10 (me kohën lokale)," tha ai në postimin e tij. Prokurori i përgjithshëm i Azerbajxhanit tha se qyteti Mingecevir, i vendosur 308 km në perëndim të Bakusë, gjithashtu është shënjestruar nga tre raketa armene. Në këtë sulm, pesë civilë janë plagosur dhe transferuar në spital, tha zyrtari azerbajxhanas. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm thotë se një total prej 19 civilësh u vranë më 3 tetor dhe 63 të tjerë u plagosën ndërsa 44 objekte jo-ushtarake dhe 181 shtëpi u shkatërruan si rezultat i sulmeve nga forcat armene. Armenia, në anën tjetër, tha se qyteti kryesor i Nagorni-Karabakut, Stepanakert, i cili ka qenë nën zjarr artilerie që nga e Premtja, u godit përsëri të Dielën dhe gazetarët e AFP thanë se kishte shpërthime të shpeshta dhe re tymi të zi që ngriheshin në pjesë të qytetit. Tani zhvillohen luftime të ashpra midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, me Bakunë që pretendon të ketë kapur qytetin Xhebrail - i cili ishte nën kontrollin e Armenisë për 30 vjet - në përleshje të ashpra mbi enklavën malore.