Armenia dhe Azerbajxhani bien dakord për armëpushim
Ministri i jashtëm i Rusisë njoftoi se Jerevani dhe Bakuja kanë rënë dakord për një armëpushim që prej 10 tetorit. Akordi është arritur pas takimit të ministrave të jashtëm të Azerbajxhanit dhe Armenisë në Rusi.
Sergei Lavorv ministër i jashtëm i Rusisë ka thënë se takimi ka zgjatur më shumë se 10 orë dhe më në fund palët kanë rënë dakord për nisjen e armëpushimit që prej 10 tetorit. Rusia ka ofruar të ndërmjetësojë armëpushimin mes Azerbajxhanit dhe Armenisë për t’i dhënë fund konfliktit të përgjakshëm në provincën e Karabakut. Ministria e Jashtme ruse tha se kryediplomatët e vendeve konfirmuan pjesëmarrjen në Moskë pas ndërhyrjes së presidentit Vladimir Putin. Presidenti rus ftoi të enjten, 8 tetor, palët ta ndërpresin konfliktin për arsye humanitare, për të mundësuar shkëmbimin e të burgosurve dhe të rënëve të luftës në territoret përkatëse. Me gjithë përpjekjet për diplomaci, konfrontimet në lartësirën e Karabakut nuk pushuan as të premten, kur bilanci zyrtar i jetëve të humbura kaloi shifrën 400. Në gati dy javë luftë, forcat etnike armene e kanë pësuar më rëndë, ndërsa nuk dihen humbjet në radhët e ushtarakëve azerë, por vetëm civilët e vrarë. Dhjetëra mijëra banorë të rajonit separatist janë shpërngulur në masë, rreth 90 për qind e grave dhe fëmijëve të Karabakut të Sipërm. Presidenti rus, Putin, dhe homologu francez, Emanuel Makron, denoncuan këtë javë zbarkimin e atyre që i quajtën “terroristë” proturq nga Siria dhe Libia për të luftuar krah Azerbajxhanit. Ndërsa Ankaraja përkrah azerët, Moska ka në fuqi një traktat ushtarak me armenët. Një ditë më parë në Gjenevë tema e paqëtimit u diskutua edhe pas dyerve të mbyllura nga ndërmjetësuesit e Francës, Rusisë dhe SHBA-së. Palët nuk dolën me qëndrim publik, por presidenti Makron tha me optimizëm të premten së armëpushimi mund të arrihet së shpejti.