Azerbajxhani akuzon forcat armene për krime lufte
https://parstoday.ir/sq/news/world-i100665-azerbajxhani_akuzon_forcat_armene_për_krime_lufte
Azerbajxhani tha të dielën se forcat armene qëlluan me artileri gjatë natës qytetin Ganja.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Tetor 11, 2020 17:28 Europe/Tirane
  • Azerbajxhani akuzon forcat armene për krime lufte

Azerbajxhani tha të dielën se forcat armene qëlluan me artileri gjatë natës qytetin Ganja.

Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit shkruante në rrjetin Twitter se, “Natën e 11 tetorit, Ganja, qyteti i dytë më i madh në Azerbajxhan dhe përtej vijës së frontit, u qëllua me zjarr raketash nga forcat e armatosura armene. Sulmi shkaktoi vdekjen e 9 civilëve dhe plagosjen e 39 të tjerëve, përfshirë të mitur.” Ministria e Mbrojtjes në Nagorni-Karabak tha se akuza që forcat armene “qëlluan me artileri qytetin Ganja është një gënjeshtër absolute”. Zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut tha se kishte marrë njoftime të pakonfirmuara se më shumë se 50 civilë, përfshi fëmijë, janë vrarë që nga fillimi i luftimeve me 27 shtator. Luftimet po ashtu u kanë marrë jetën rreth 400 ushtarëve dhe kanë detyruar mijëra njerëz që të braktisin shtëpitë e tyre. Armenia dhe Azerbajxhani ranë dakord për armëpushimin në rajonin e diskutueshëm Nargorni-Karabakut pas 10 orë bisedimesh në Moskë. Armëpushimi ka për qëllim të lejojë të dy palët të shkëmbejnë të burgosurit dhe të tërheqin viktimat. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, i cili ndërmjetësoi bisedimet, tha se armëpushimi duhet të hapë rrugën për bisedime të mëtejshme mbi zgjidhjen e konfliktit. Bisedimet mes ministrave të jashtëm të Armenisë dhe Azerbajxhanit u zhvilluan me ftesë të Presidentit rus Vladimir Putin pas rreth dy javë luftimesh. Territori i Nargorni-Karabakut me popullsi kryesisht armene e shpalli pavarësinë nga Azerbajxhani në vitin 1991 gjatë shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, duke shkaktuar një luftë që u mori jetën rreth 30 mijë njerëzve para se të arrihej një armëpushim. Pavarësia e atij territori nuk njihet në arenën ndërkombëtare.