Fushata presidenciale në SHBA drejt kulmit
Pak më shumë se tre javë nga dita e zgjedhjeve, Presidenti amerikan Donald Trump tha se është i gatshëm të kthehet në veprimtaritë e fushatës pasi është shëruar nga COVID-19.
Mjeku i tij lëshoi një deklaratë të dielën ku thotë se presidenti republikan nuk konsiderohet më rrezik për transmetimin e sëmundjes. Por debati i dytë presidencial mes kandidatëve, i planifikuar për këtë javë u anulua. Presidenti u tërhoq nga një debat virtual me ish nënpresidentin Joe Biden. Fushata e Biden thotë se kandidati i saj mezi pret të debatojë personalisht me Trump më 22 tetor, për sa kohë që presidenti nuk është më i infektuar dhe ndjek protokollet shëndetësore. Edhe pse Biden udhëheq ndaj presidentit Trump me deri në 12 pikë në një sondazh të fundit kombëtar me votues të mundshëm, të dy kandidatët po shkojnë në të ashtuquajturat “shtete të fushë-betejës”, shtetet kyçe që mund të vendosin rezultatin e zgjedhjeve. Këtë javë, presidenti Trump shkon në Florida për një tubim dhe më pas në Pensilvani. Jo Biden do të shkojë në Ohajo. Amerikanët kanë filluar të votojnë në shumë shtete. Pjesëmarrja duket e lartë në Uiskonsin, një shtet fushë beteje, ku në Qarkun Dejn, një bastion i demokratëve, numri i fletëve të votimit të dorëzuara është tashmë më shumë se 36 përqind më shumë se sa votat e hedhura në zgjedhjet e vitit 2016 në këtë qark, njoftoi gazeta The New York Times. Fushata e Biden po u thotë njerëzve të votojnë herët dhe fizikisht në shtetet që i lejojnë ta bëjnë një gjë të tillë.