SHBA: Dita e Kolombit shënohet me protesta masive kundër racizmit
(last modified Tue, 13 Oct 2020 18:12:26 GMT )
Tetor 13, 2020 20:12 Europe/Tirane
  • SHBA: Dita e Kolombit shënohet me protesta masive kundër racizmit

Demonstruesit ne SHBA kanë rrëzuar statujat e ish-presidentëve amerikanë në ‘Ditën e Popujve Indigjenë’ në shtetin e Oregon.

Ata rrëzuan statujat e presidentëve Theodore Roosevelt e Abraham Lincoln gjatë demonstrimeve në Portland, duke deklaruar tërbimin e tyre ndaj festës së njohur si Dita e Kolombit. Organizatorët e quajtën qëllimisht eventin “Dita e rebelimit të Popujve Indigjenë” në kundërpërgjigje të festës në nder të eksploratorit italian të shekullit të 15-të Christoforo Columbo, i kthyer tashmë në një figurë polarizuese pas kritikave se zbulimi i tij nisi disa shekuj vrasjesh e genocidi ndaj popullatave indigjene të dy kontinenteve amerikane. Pjesëmarrësit lidhën zinxhirë te statuja e Roosevelt e cila titullohet zyrtarisht “Theodore Roosevelt, Kalorësi i rëndë” dhe më pas e çmontuan atë me një prerëse gazi në bazën e monumentit. Turma e rrëzoi atë pak para orës lokale 21.00 dhe u drejtua për te statuja e Lincoln të cilën e rrëzuan dhjetë minuta më vonë. Historianët kanë thënë se Roosevelt ka qenë veçanërisht armiqësor ndaj indianëve amerikanë dhe njëherë ka deklaruar: “Nuk mund të them se çdo indian i mirë është një indian i vdekur, por mund të them se në çdo 10 nëntë prej tyre janë të tillë”. Protestuesit pikturuan më pas me bojë në bazën e statujës së Lincoln “Dakota 38”, duke iu referuar 38 burrave nga Dakota që Lincoln urdhëroi të varen pasi ishin përfshirë në një konflikt me kolonizatorët e rinj të bardhë në Minnesota. Policia më vonë e shpalli aktivitetin të jashtëligjshëm dhe urdhëroi shpërndarjen e pjesëmarrësve. Oficerët njoftuan se ata që përfshiheshin në “sjellje kriminale e vandalizëm”, do të arrestohen, por nga mediat nuk u njoftua për arrestime. Monumentet janë objektet më të fundit që bëhen pre u dhunës së zemërimit të nisur që prej protestave për vrasjen mizore të afro-amerikanit George Floyd nga policia e Minneapolis më 25 maj.

 

Tags