Shtohen viktimat e konfliktit në Nagorni-Karabak
Armenia dhe Azerbajxhani vazhduan të akuzojnë njëri-tjetrin për shkeljen e një armëpushimi humanitar të rënë dakord tre ditë më parë për t’i dhënë fund luftimeve në Nagorni-Karabak dhe grupet ndërkombëtare po paralajmërojnë një krizë humanitare në rajon.
Agjensia Reuters dëshmoi bombardimet e qytetit Martuni në Nagorni-Karabak, një enklavë malore e njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, e cila, megjithatë, drejtohet dhe banohet nga armenët. Ministri i Jashtëm, Sergej Lavrov, ndërmjetësuesi i paktit të fundjavës për armëpushim, priti të hënën sërish homologun e tij armen për të diskutuar mbi situatën. Ai tha: “Të premten dhe një pjesë të së shtunës së shkuar e kaluam në këtë ndërtesë me kolegun tonë azerbajxhanas. Arritëm një marrëveshje të rëndësishme tripalëshe por shohim që ajo nuk po respektohet plotësisht.” Ministri armen vlerësoi rolin e Rusisë ndërsa i drejtoi akuza edhe Turqisë. Shkelja e armëpushimit të arritur përmes Rusisë, me synimin për të lejuar palët në konflikt të shkëmbejnë të burgosurit dhe trupat e të vdekurve, zvogëlon mundësitë për paqe pas shpërthimit të konflikteve vdekjeprurëse më 27 shtator. Ndërkohë, numri i të vdekurve vazhdon të rritet. Zyrtarët armenë në Nagorni-Karabak thanë se 542 ushtarë ishin vrarë, 17 më shumë se e hëna. Azerbajxhani ka njoftuar se 42 civilë azerbajxhanas janë vrarë dhe 206 janë plagosur që nga 27 shtatori.