OBSH paralajmëron mbi situatën e rënduar të Covid-19 në Evropë
Lehtësimi i masave kundër koronavirusit në Evropë mund të çojë në një rritje të shkallës së vdekjeve “katër deri në 5 herë më të lartë se të atyre që u regjistruan në prill” paralajmëroi Organizata Botërore e Shëndetësisë.
280 mijë jetë njerëzish mund të shpëtohen deri në shkurt përgjatë të gjithë kontinentit nëse qytetarët do të mbajnë maskën dhe nëse do të vendosen rregulla strikte për ndalimin e grumbullimeve. Mesazhi i zymtë ka ardhur nga kreu i OBSH për Evropën, Dr Hans Kluge, teksa i cilësoi masat shtrënguese të ndërmarra në disa shtete si “absolutisht të nevojshme” duke marrë shkas dhe nga rritja e vazhdueshme e rasteve të reja me koronavirus. Ai paralajmëroi se mund të ndërmerren masa edhe më drastike nëse nuk ka një përmirësim të situatës, ndërsa i bëri thirrje shteteve të mos “bëjnë kompromise” në përpjekjet e tyre për të kontrolluar virusin. Rritja e rasteve të reja përkon me shtimin e rasteve spitalore, raporton OBSH. Por edhe pse rastet ditore janë 2-3 herë më të larta se ato në prill, numri i viktimave është 5 herë më i ulët. OBSH deklaroi se kjo vjen prej rritjes së testimeve, në krahasim me muajt e pranverës, si dhe për një numër më të lartë rastesh në mesin e të rinjve dhe personave më pak të rrezikuar. Pavarësisht situatës serioze në të cilën ndodhemi, OBSH nuk rekomandon një mbyllje të dytë. “Një mbyllje e plotë si ajo e marsit nuk është e qëndrueshme pasi dëmi i izolimit tek njerëzit është shumë i lartë”, theksoi Kluge.