Në Qipron turke fillon raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale
Në raundin e dytë garojnë kryeministri dhe kandidati i Partisë së Unionit Kombëtar Ersin Tatar dhe presidenti dhe kandidati i pavarur Mustafa Akıncı
Qytetarët e Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC) sot votojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Votuesit në Qipron turke që në orën 08:00 filluan procesin e votimit për të zgjedhur presidentin i cili do të kryejë këtë detyrë në 5 vitet e ardhshme.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve për postin e presidentit garojnë kryeministri dhe kandidati i Partisë së Unionit Kombëtar (UBP) Ersin Tatar dhe presidenti dhe kandidati i pavarur Mustafa Akıncı.
Në raundin e parë të mbajtur më 11 tetor Tatar doli i pari duke marrë 32.34 për qind të votave ndërsa Akıncı i dyti me 29.8 për qind të votave.
Zgjedhjet presidenciale mbetën në raundin e dytë për shkak se asnjë prej 11 kandidatëve garues nuk mundën të marrin mbi 50 për qind të votave në raundin e parë.
Procesi i votimit do të vijojë deri në orën 18:00 ndërsa do të mund të votojnë 199.029 votues në 738 vendvotime.
Pas përfundimit dhe mbylljes së votimit do të fillojë numërimi i votave.
Në vendvotime këtë vit Bordi i Lartë Zgjedhor (YSK) ka mobilizuar 2.658 persona.
Pritet që rezultati i zgjedhjeve të qartësohet në orën 20:00